Njoftim me rëndësi për tifozët: Sllovaki – Kosovë, gjithçka që duhet të dini para ndeshjes
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Njoftim me rëndësi për tifozët: Sllovaki – Kosovë, gjithçka që duhet të dini para ndeshjes
Federata Sllovene e Futbollit (SFZ) njofton të gjithë tifozët se ndeshja "play-off" kundër Kosovës, që do të zhvillohet nesër në Bratisllavë, është zyrtarisht e shitur plotësisht dhe sportelet e stadiumit do të shërbejnë vetëm për asistencë teknike.
Dyert e stadiumit "Tehelné pole" do të hapen në orën 18:45, saktësisht dy orë para fillimit të ndeshjes, dhe kërkohet arritja e hershme e tifozëve për shkak të kontrolleve të rrepta të sigurisë. Çdo vizitor, përfshirë edhe fëmijët e vegjël, duhet të jetë i pajisur me biletë individuale dhe një dokument identifikimi (ID ose pasaportë) që përkon me të dhënat në biletë, pasi në të kundërt nuk do të lejohet hyrja.
Për shkak të parashikimit për mot të lig me shi të rrëmbyeshëm, erë dhe temperatura të ulëta, organizatorët u bëjnë thirrje tifozëve të marrin pelerina shiu dhe veshje të ngrohta, ndërsa theksojnë se çadrat janë rreptësisht të ndaluara brenda stadiumit. Qarkullimi rrugor rreth impiantit do të jetë i kufizuar, me bllokime të rrugëve "Kalinčiakova" dhe "Viktora Tegelhoffa", andaj rekomandohet përdorimi i transportit publik i cili do të jetë i përforcuar pas ndeshjes. Për personat me aftësi të kufizuara (kategoria ZŤP-S), hyrja e dedikuar është në Portën C1, ku stafi vullnetar do të jetë në dispozicion për asistencë dhe orientim drejt tribunës B.
KosovaPress