Një vit nga hapja, Prishtina Mall është vizituar nga mbi 10 milionë vizitorë
Lexohet për: 4 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Mbi 10 milionë njerëz kanë vizituar qendrën tregtare më të madhe në Kosovë “Prishtina Mall” përgjatë një viti. Ndërkaq, planifikohet që me sjelljen e brendeve të reja dhe më të njohura botërore, kjo qendër të tërheqë akoma më shumë vizitorë në vazhdimësi.

Kështu u tha në konferencën e organizuar sot me rastin e njëvjetorit të hapjes së qendrës tregtare “Prishtina Mall”, në të cilën u theksuan sukseset dhe sfidat që i kanë përcjell gjatë këtyre 365 ditëve.

Drejtori menaxhues në Prishtina Mall, Alvaro Costa tha se ia kanë dalë që Kosovës dhe rajonit t’i ofrojnë brendet e dyqaneve më moderne dhe më të njohura, përfshirë këtu edhe kinematë.

Ai tha se misioni i tyre është të jenë udhëheqës dhe të sjellin gjëra të reja, derisa shtoi se kjo qendër pati një ndikim ndërkombëtar që nga fillimi.
Costa theksoi se do të vazhdojnë të jenë të përkushtuar drejt së ardhmes.
Ndër të tjera, ai shtoi se shumë shpejt Prishtina Mall do të bëhet edhe me Galerinë e Artit.

"Prishtina Mall që nga fillimi edhe pse është e përkushtuar për tërë Kosovën dhe rajonin pati një ndikim ndërkombëtar që nga fillimi. Prishtina Mall luan një rol thelbësor edhe në ndryshimin e sektorit të shitjes me pakicë që nga hapja e saj dhe ende jemi duke e luajtur këtë rol... Nuk është vetëm një vend ku familjet dhe miqtë mund të blejnë dhe të kalojnë kohën e lirë. Por, është vend edhe ku organizohen disa panaire ndërkombëtare, ku organizohen edhe autoshoun ndërkombëtarë... E dimë se rajonit i kemi ofruar kinematë më të mira dhe hapësirën shumë të mirë për të kaluar kohën hiperaktive, që është më e mira në rajon. Misioni ynë është të jemi udhëheqës, të vazhdojmë të sjellim gjëra të reja, të vazhdojmë të bëjmë Prishtinas Mallin si vend dhe trend i qendrës tregtare. Shumë shpejt do ta kemi një dyqan New Yorker, më modern dhe më të madhin në rajon... Shpejt do ta kemi edhe Galerinë e Artit, për të përqafuar kulturën në rajon. Do të jetë shopping mall i parë që do ta bëjë një gjë të tillë", tha Costa.

Ndërkaq, presidenti i bordit në Prishtina Mall, Fatmir Zymberi tha se pavarësisht sfidave për shkak të situatave të krijuara në vend në aspektin e sigurisë, me punë më të madhe e përkushtim ia kanë dalë me sukses këtij rrugëtimi.
Ai theksoi se që nga ideja për ndërtimin e kësaj qendre ka qenë e ditur se një risi e tillë do ta ndërrojë Kosovën.

"Ne  e kemi ditur nga ideja e kësaj që Prishtina Mall do ta ndërrojë Kosovën për këtë veprimtari, do ta ndërrojë regjionin, do ta bën shumë më ndryshe. Deri më tani Prishtina Mall është vizituar nga mbi 10 milionë vizitorë dhe tani nuk jemi ne që flasim, por për Prishtina Mall janë 10 milionë njerëz që flasin dhe kjo e ka bërë një punë shumë më të lehtë për neve... Sidomos vikendeve gjysma e të gjithë parkingjeve që shumicën e rasteve janë të stërmbushura janë me regjistrim nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria e edhe nga Greqia... Nuk ka  përfunduar Prishtina Mall, nuk do të përfundojë kurrë suksesi i saj, pasi që ashtu siç tha Alvaro, do të vijnë gjithmonë brende të reja, koncepte të reja në një formë shumë më të avancuar, modeli i fundit i gjithë atyre brendeve... Ka shumë befasi rrugës, jemi në komunikim me shumë brende. E dimë që situata nuk është shumë atraktive në Kosovë për investime të mëdha, pasi që situata politike nuk është siç kemi dëshirë... Jam dëshmitar bashkë më bashkëpunëtorët  e mij kemi bërë pesëfish më shumë punë për hir të situatës jostabile, pesëfish për të mund të sjellim rezultat njëfish”, tha Zymberi.

Përveç këtyre, në konferencë u tha se qëllimi i “Prishtina Mall-it” është që çdo herë e më shumë të bëhet atraktive dhe më e dashur për të gjithë.
Po ashtu u tha se do të ketë shumë risi e brende të reja, në mënyrë që klientët të jenë sa më të kënaqur.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024