Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Në pikën kufitare të Jarinjes, Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person me inicialet M.A, i cili ishte në kërkim për sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtarë, sipas veprës “vrasje e rëndë në tentativë”.
Policia e Kosovës, ditëve dhe muajve të fundit, është sulmuar disa herë në pjesën veriore të Kosovës.
“Policia e Kosovës, gjatë realizimit të detyrave zyrtare, sot, më 09.02.2022, rreth orës 15:00, në Jarinje ka arritur të identifikojë dhe të ndalojë të dyshuarin M.A. (m/s/k), i cili ishte në kërkim. Personi i ndaluar është i dyshuar për përfshirje në sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtar, ‘vrasje e rëndë (në tentativë)’, rast ky i kryer kohë më parë”, thuhet në njoftim.