Autoritetet izraelite kanë prezantuar sot një trup metalik të cilin e kanë quajtur “fragment të madh rakete”, për të cilin pretendohet se është lëshuar nga Irani gjatë natës ndërmjet të dielës e së hënës, ndërsa thuhet se ka rënë në oborrin e një shkolle fillore në komunitetin Pedu’el, në Samari.
Fragmenti i prezantuar në foto duket sikur ka rënë krejt afër një muri, ku po ashtu ka edhe gjëra të zakonshme “mbështetëse” të një ambienti shkollor, sikur janë dërrasat në formë lapsi.
Përreth nuk shihet ndonjë dëm i madh që mund ta ketë shkaktuar ky fragment rakete.
Fotografia e realizuar nga agjencia izraelite e lajmeve “TPS-IL” tregon mbetjet e raketës në vendngjarje, duke ilustruar kështu, siç thuhet “rrezikun që paraqesin sulmet raketore edhe në zonat civile dhe pranë institucioneve arsimore”.