Punimet për zgjerimin e stadiumit të Shtimes kanë filluar sot, projekt ky i cili po synohet të përfundohet brenda këtij viti.
Ky projekt, i cili përfshin ndërtimin e zhveshtoreve të reja, tribunave të reja dhe të gjithë infrastrukturës përcjellëse, do të financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
“Sot po fillojnë punimet e zgjerimit dhe renovimit të stadiumit të qytetit të Shtimes, projekt ky i përbashkët me Komunën e Shtimes, i financuar nga ministria në vlerë prej 2.4 milionë euro, ku parashihet, siç edhe po shihet fusha aktualisht ka përjetuar një rinovim në aspekt të barit, mirëpo parashihet zgjerimi me zhveshtoret, me pjesët përcjellëse, me tribunat për tifozët, andaj edhe kemi ardhur me e pa punën e operatorit ekonomik, me i uruar punë të mbarë, edhe për t’u siguruar për mbështetje nga të dyja nivelet, për zhvillimin e këtij projekti në afatet e parapara edhe në kuadër të kontratës që është nënshkruar para pak javësh", tha Osmani.
Ndërkaq, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu tha për KosovaPress, se fillimi i punimeve për renovimin dhe zgjerimin e stadiumit është një ngjarje shumë e rëndësishme, investim ky që kjo komunë nuk e ka përjetuar asnjëherë. Kryetari Aliu tha se nga e hëna do të fillohet puna e punimeve me një dinamikë të shpejtuar, pasi që po synohet që ky projekt të finalizohet brenda këtij viti.
Para dy javësh, stadiumi i qytetit në Shtime u bë me bar sintetik, projekt ky i cili u bashkë-financua nga Komuna e Shtimes dhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), dhe që e kap vlerën e 250 mijë eurove. Ndeshjet në këtë stadium i zhvillon skuadra e Vjosës, e cila u shpall kampione vjeshtore në Ligën e Parë të Kosovës, dhe është kandidate serioze për t’u inkuadruar në futbollin elitar, respektivisht në Superligën e Kosovës.