Nisin punimet në rrugën A, Rama: Do të shkarkohet ngarkesa e trafikut në kryeqytet
Lajme
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Në kryeqytet sot kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema” e njohur si rruga A. Punimet e kësaj rruge në segmentin e parë 1.5 kilometra pritet të përfundojnë brenda 240 ditëve, ndërsa asfaltimi i kësaj rruge pritet të lehtësoj trafikun e ngarkuar në Prishtinë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se rruga A është një projekt madhor për kryeqytetin.

Rama theksoi se punimet po zhvillohet njëkohësisht nga të dyja skajet e rrugës dhe kostoja e këtij projekti është 8.4 milionë euro.

Ai tha se rruga “Jim Xhema” do ta shkarkojë dukshëm ngarkesën e trafikut në kryeqytet.

“Është një projekt madhor i kryeqytetit, kemi 1.5 kilometrat e parë ku do të fillojmë nga të dyja anët edhe nga ana e Kalabrisë, edhe nga ana e Prishtinës së Re në të dyja anët në të njëjtë kohë që dinamike të jetë e shtuar. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe projektin e shpimit të Veternikut, në mënyrë që të lidhet edhe Prishtina e Re me Kalabrinë. Kjo fazë e parë 1.5 km përveç që trajton rrugën, trajton edhe kanalizimet... Po them do të ndihmoj që Prishtina të frymoj më lehtë, Prishtina po frymon më lehtë si rezultat i kaosit që ka ndodhur  që nuk kemi pas boll rrugë dhe tash rrugët po i krijojmë...”, u shpreh ai.

Drejtori i Investimeve Kapitale në komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi duke e konsideruar si projektin më të madh të dekadës në kryeqytet u shpreh se kjo rrugë do të ketë 6 korsi dhe do jetë me infrastrukturë moderne.

Zotimin se punimet në rrugën “Jim Xhema” do të përfundojnë brenda afatit të paraparë, është shprehur edhe pronari i kompanisë kontraktuese për këtë projekt “Sallahu”, Lulzim Sllahu.

Nisjen e punimeve të kësaj rruge e kanë mirëpritur edhe banorët e zonës.

Enver Krasniqi banor i lagjes së Spitalit tha se për 50 për qind rruga A do ta lehtësojnë trafikun.

I gëzuar se tashmë ka nisur  asfaltimi i rrugës “Jim Xhema” është shprehur edhe Agim Kosumi i cili tha se ndonëse vite më parë ishte folur për ndërtimin e kësaj rruge tek sot filluan punimet.

Në këtë ceremoni të nisjes së punimeve i pranishëm ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. /B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024