Eskalon protesta në Tiranë, kërkohet dorëheqja e Erion Veliajt
Lexohet për: 3 min.
atsh
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Molotovë, tym dhe flakë edhe në protestën e sotme para bashkisë së Tiranës të nga “Aleanca për Teatrin” e mbështetur dhe nga një pjesë e opozitës.

Në sheshin përpara Bashkisë së Tiranës u mblodhën dhjetëra protestues, teksa e pranishme është edhe Argita Malltezi, vajza e ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Po ashtu, në shesh ishin dhe nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës nga radhët e opozitës Dorian Teliti. Po ashtu, në protestë janë dhe përfaqësues të Partisë së Lirisë.

Kjo është protesta e gjashtë e thirrur pas arrestimit me urdhër të SPAK të disa ish-drejtorëve të kësaj bashkie. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj, pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni.

Në drejtim të bashkisë protestuesit kanë hedhur molotovë, fishekzjarrë dhe tymuese.

Gjatë protestës, në fjalimin e tij, ish-kandidati për kryebashkiak të Tiranës Belind Këlliçi u shpreh se sot ka nënshkruar kallëzim të ri në SPAK ndaj Erion Veliajt.

“Jemi kundër kreut të bandës 5D dhe pronari faktik i inceneratorit. Do mbahet mend si i vetmi kryebashkiak që vuri policinë për të mbrojtur veten. I takon SPAK të ngrihet në lartësinë e detyrës e t’i përgjigjet një drejtësie pa regji”, tha Këlliçi.

“I bëj thirrje SPAK; sot keni damkën e madhe në kurriz, mbi shpatulla të burgosjes, pa asnjë fakt, pa asnjë provë të arrestit të liderit të opozitës”, tha Këlliçi.

Ndërsa Dorian Teliti, nënkryetar i Rithemelimit u shpreh se kjo protestë është pranë fitores së madhe.

“Jemi afër arritjes së objektivit tonë madhor, dorëheqjes përfundimtare të Erion Veliajt dhe më pas, dorëheqjes edhe të kryeministrit të Shqipërisë. Është rezistenca juaj që sot bëri të mundur që Edi Rama të bëjë disa hapa pas. Ai që para disa javëve i jepte mbështetjen e pakushtëzuar Erion Veliajt, sot u distancua nga ai”, tha Teliti.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi iu drejtua protestuesve duke thënë se “ne nuk do ta lejojmë kurrë Erion Veliajn të bëjë gjumin e qetë, deri ditën që do të japë llogari një më një, për të gjitha krimet që i ka bërë qytetarëve të Tiranës, për të gjitha krimet që i ka bërë Tiranës dhe deri ditën kur ai t’ua kthejë ju dhe të gjithë qytetarëve të kryeqytetit edhe qindarkën më të fundit që ka vjedhur nga xhepat tuaj”.

Gjatë protestës, veç molotovit, protestuesit shtynë gardhin e sigurisë të vendosur nga Policia, duke u përpjekur të hyjnë në godinë çka ka sjellë edhe përplasje fizike me forcat e rendit. /atsh/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024