Nisin homazhet për gjeniun e letërsisë shqipe, Ismail Kadarenë
Lexohet për: 2 min.
45454575754545
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit kanë nisur homazhet publike dhe ceremonia shtetërore e lamtumirës për gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadare.

Bashkëshortja Helena dhe bijat e shkrimtarit të ndjerë po presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë.

Protokolli ka menduar edhe të vendosë simbolet e Nënë Terezës në vendin e homazheve.

Ceremonia e nderimeve për kolosin Kadare është organizuar me protokoll shtetëror nën kujdesin e Kryeministrisë.

Homazhet nisën në ora 09:00 dhe do të vazhdojnë deri në 12:30 për të vazhduar me nisjen drejt varrezave të Tufinës. Ashtu si dje, edhe dita e sotme është ditë zie kombëtare.

Gjithashtu ditë zie kombëtare ka shpallur edhe Kosova.

Ismail Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash, ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.

Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij. Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore. Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre./atsh

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024