Punëtorët e sigurimit fizik në Univesitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë filluar sot grevën ku kërkuan rritjen e pagës, të cilën aktualisht e marrin nën pagën mesatare të vendit.
Disa punëtore sot u mblodhën para Fakultetit të Filozofisë dhe shfaqën kauzat e tyre me përfaqësuesin e tyre, Arsim Gjinovi, kryetar i Shoqatës së punëtorëve të sigurimit fizik në Univesitetin e Prishtinës.
“E kemi paralajmëruar një grevë qysh dje për shkak të pagave të ulëta, për shkak se nuk është marrë parasysh vendimi i Qeverisë në Rektorat. Sot këtu jemi me disa punëtorë dhe kemi filluar grevën, por sipas disa informatave, marrëveshja është nënshkruar dhe po presim çdo orë ose çdo 10 minuta të konfirmohet marrëveshja me Rektorat. Ne jemi këtu, punën nuk e kryejmë derisa nuk kemi diçka zyrtare”, tha Gjinovci.
Ai bëri të ditur se paga aktuale e këtyre punëtorëve është 368 euro dhe të njëjtit po kërkojnë zbatimin e vendimit të Qeverisë për pagën minimale.Ndërsa kryetari i Shoqatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi njoftoi më në detaje lidhur me kërkesat e tyre.
“Sipas informacioneve që kemi ne është nënshkruar rritja e pagës…po e presim dokumentin e kompanisë dhe vendimi do të jetë, paratë për rritjen retroaktive të pagës minimale që do të kenë nga 1 janari, do të kenë në muajin maj që shkoj dhe paga e tyre që nga 1 korriku do të jetë konform të vendimit të Qeverisë së Kosovës”, shtoi Azemi.
Nga 1 janari 2026 paga minimale në Kosovë është 425 euro bruto nga 350 euro sa ishte deri në dhejtor 2025. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro.