Për herë të parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë vetës detyrë që votuesve të regjistruar jashtë Kosovës t’ua dërgojë përmes postës pakot me fletëvotime për të votuar në Zgjedhjet Lokale.
Ky shërbim pritet të realizohet për 43 mijë e 933 shtetasit e Kosovë, të cilët aplikuan dhe u regjistruan për të votuar përmes postës në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.
Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës dhe 2,050 të tjera përmes postës së shpejtë. Zarfi i cili i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës.
Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ.
Po ashtu, në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për akreditimin e 18,041 vëzhguesve të 51 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.
Periudha e votimit përmes postës, e cila ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, vlenë vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.