Përkundër shtrenjtimit enorm të karburanteve nga ora në orë në tregun tonë, sot ka nisur të bie çmimi i tyre nëpër disa kompani përreth 0.16 centë për një litër naftë.
Një litër naftë sa ishte deri dje 1.82 euro në kompaninë “Petrol Company”, sot është 1.65 euro, raporton KosovaPress. Në anën tjetër në disa kompani të tjera, çmimet e karburanteve vazhdojnë të jetë deri 1.75 euro.
Pronari i kompanisë “Petrol Company”, Shkëlzen Jusaj paralajmëron një zbritje të lehtë të këtyre çmimeve në tregun e Kosovës, për arsye siç thotë ai të shtimit të prodhimit të derivateve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Madje, Jusaj paralajmëron se çmimet do të rikthehen deri në 1.35 euro.
Afaristi Jusaj ka sqaruar deklaratën e tij të dhënë ditë më parë në media se çmimi i karburanteve mund të shkojë deri në 3.5 euro.
“Kam pasur intervista më herët dhe me gjasë nuk e di sa më kanë kuptuar, sepse kam dal pak prek kontekstit, ku unë kam thënë që ka mundësi me shkuar deri 3 euro e gjysmë. Kisha dashur një me bërë një sqarim, se fjala ka qenë krejt ndryshe. Fjala ka qenë për çështjen e sanksioneve që mund t’i bashkëngjiten edhe Bashkimi Evropian dhe në të njëjtën kohë nuk do të ketë shtim të prodhimit. Ekspertët e fushës e patën thënë që mundet me shkuar deri në 300 dollarë bareli, dhe në këtë rast nëse kishte me shkuar 300 dollarë bareli, ne kemi thënë që mund të del pastaj çmimi në Kosovë deri 3 euro e gjysmë. Mirëpo, sipas rrethanave dhe bisedave që po zhvillohen me Venezuelen, Iranin do të ketë shtim të prodhimit të produktit dhe me gjasë do të ketë një normalizim, dhe nuk do të eskalojnë çmimet ashtu siç është pretenduar… Mund të ketë ndryshime dhe laromani në treg, mirëpo brenda normales”, theksoi ai për KP.