Për dy javë mbi 100 mysafirë nga e gjithë bota do të marrin pjesë në edicionin e Seminarit të Gjuhës Shqipe. Këtë vit do të mbahet edicioni i dyzetë, ku do të marrin pjesë albanologë të huajë e vendorë. Gjatë ditës së sotme kanë nisur punimet e këtij edicioni jubilar, i cili do të zgjas deri më 26 gusht. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, u tha se është ngjarja më e rëndësishme në fushën e albanologjisë.
Në hapje të seminarit, fjalën e kryeministrit e ka lexuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku foli për rëndësinë e gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Më tej, në këtë letër thuhej se roli i seminarit ka vlerë të madhe. Aty u përmend edhe hartimi i koncept-dokumentit për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë.
“Edicioni i dyzetë i seminarit për aq sa jam njoftuar do të ketë numrin më të madh të seminaristëve e pjesëmarrësve ndonjëherë, rreth 150 sosh. Duke ju përgëzuar për këtë vit jubilar uroj për ligjërata, sesione e kurse sa më të frytshme të shtjellimit të problematikave gjuhësore dhe të mësimit të shqipes”, thuhet në letrën e shkruar nga kryeministri Albin Kurti.
“Kam mësuar frëngjisht dhe arabisht përpara, por mund të flas me siguri që gjuha shqipe është e veçantë, një ndër gjuhët e rralla indoevropiane. Gjatë kohës kur kam kaluar duke mësuar gjuhën shqipe në Londër dhe Gjakovë, një ndër pjesët më të vështira ka qenë që rregullat e shkruara gramatikore duhet të shqiptohen. Kjo edhe e bën gjuhën shqipe unike në mesin e gjuhëve botërore. Ndoshta edhe do të më kishte ndihmuar sikur të kisha marrë pjesë në ligjëratën e Vladimir, metodën më të mirë për të mësuar gjuhën shqipe si gjuhë të dytë. Por, pavarësisht vështirësive duke mësuar gjuhën shqipe dhe njëkohësisht duke mësuar kulturën dhe historinë shqiptare, ka qenë një kënaqësi e madhe dhe një eksperiencë e paharrueshme”, ka thënë ambasadori britanik.
Në shënimin e edicionit të dyzetë të këtij seminari, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka folur për vështirësitë e organizimit të këtij seminari në fillimin e tij.
Më tej, drejtori i seminarit të Gjuhës Shqipe, Shkumbin Munishi tha se edicioni i sivjetmë po mbahet në përputhje me traditën e krijuar përgjatë pesë dekadave.
“Këtë vit numri i pjesëmarrësve të huajë në seminar do të kalojë numrin 100 dhe po të mos ishin kufizimet e natyrës logjistike, buxhetore e teknike, ky numër sigurisht që do të ishe më i madh. Pa dyshim një interesim kaq i madh për të marrë pjesë në seminar është tregues i qartë se seminari nuk e ka humbur aspak as rëndësinë, as cilësinë. Dhe vazhdon të jetë ngjarja kryesore në fushën e albanologjisë. Në këtë edicion jubilar, programi i seminarit do të jetë mjaft i ngjeshur dhe i larmishëm me tema të ndryshme. Gjatë këtyre ditëve do të kemi ligjërata të shumta që do të mbahen nga albanologë të shquar ndërkombëtarë dhe shqiptarë, të cilët do të trajtojnë çështje me interes nga fusha e studimeve mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare”, u shpreh Munishi në hapje të seminarit.
“Rrugëtimi i këtij seminari ashtu si dhe historia jonë nuk ka qenë i lehtë por mbase ky ka qenë një nga faktorët e peshës së tij, ku kufijtë e Shqipërisë ishin të mbyllur nga diktatura, Prishtina dhe seminari i saj ishte mundësia më e mirë për studiuesit e të gjitha trojet. Po ashtu kur lufta e Kosovës e bëri të pamundur zhvillimin e tij, Tiranës iu dha mundësia që të bashkë kontribuonte në vijimin e suksesshëm. Është krenari e përbashkët që të dy universitetet tona janë prej vite së bashku organizatorë të tij”, u shpreh Dosti.
Ndërkaq, dekanja e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, Lindita Rugova tha se prezenca e seminaristëve po e kthen Prishtinën dhe UP-në në qendër të diskutimeve dhe të aktivitetit akademik.