Ka nis edicioni jubilar i festivalit më të madh të teknologjisë në Ballkan, “DOKU.TECH”, ku u tha se inteligjenca artificiale do të revolucionarizojë mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe komunikojmë, e derisa ajo vazhdon të evoluojë, është thelbësore që të kemi parasysh ndikimin e saj në shoqëri, si dhe në tregun e punës.
Në Festivalin i cili do të vazhdojë edhe nesër, po marrin pjesë emra të njohur në botë nga fusha e teknologjisë, inovacionit dhe inteligjencës artificiale, e ku janë të përfshira jo vetëm diskutime, por edhe panele diskutimi, mundësi rrjetëzimi e punëtori të ndryshme, të cilat aftësojnë të rinjtë kosovarë në fushën e teknologjisë, duke eksploruar implikimet e inteligjencës artificiale.
“Mendoj se AI do të revolucionarizojë mënyrën se si jetojmë, punojmë dhe komunikojmë, dhe në OpenAI ne jemi të përkushtuar të përafrojmë punën tonë me interesat më të mira të njerëzimit dhe të sigurojmë që AI të shërbejë si forcë për të mirë. Tani sapo po marrim një vështrim se si AI do të transformojë botën tonë të përditshme me module si DALL-E dhe GPT 4, si dhe me mjete si Chat GPT dhe COPilot. Qasja jonë këtu në OpenAI bazohet në kërkimin afatgjatë të sigurisë, në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kërkimore dhe politikave dhe duke i dhënë përparësi udhëheqjes teknike. Dhe ne gjithashtu besojmë në përsëritjen, kjo është arsyeja pse ne i sjellim këto teknologji në mënyrë të përsëritur në ndërgjegjen publike në një mënyrë të kontrolluar“, tha ajo.
Sipas saj, përveç efikasitetit për të krijuar mundësi të reja, inteligjenca artificiale do të çojë në zhvendosje të vendeve të punës dhe ndoshta edhe në rritjen e pabarazisë.
Anëtarja e stafit teknik në “OpenAI”, Pamela Mishkin tregoi misionin e kompanisë.
“OpenAI është një kompani kërkimore dhe misioni ynë është të sigurojmë që nga zhvillimi i inteligjencës së përgjithshme artificiale të përfitojë i gjithë njerëzimin, ne e përcaktojmë inteligjencën e përgjithshme artificiale si AI, ajo është e aftë të bëjë punën njerëzore më të vlefshme ekonomikisht. Pra, shumicën e detyrave që po bëni gjatë ditës.... Pra, një nga mënyrat se si e bëjmë këtë është të gjejmë modele më të afta të AI duke parë sa mirë funksionojnë, duke i përmirësuar ato bazuar në mënyrën se si njerëzit duan t'i përdorin ato dhe duke i bërë më të sigurta“, tha ajo.
“Trageti kryesor i “DOKU.TECH”, janë të rinjtë të cilët nuk kanë pas mundësi me dal dhe me ndjekë konferenca që janë me renome botërore dhe me folës shumë të mirë jashtë Kosovës, ne ata i kemi sjellë në Kosovë. Po besoj e keni parë programin tonë. Programi i sivjetmen është shumë i larmishëm. Fokusi jonë është te inteligjenca artificiale....e kemi prit, audienca është shumë më e madhe se sa ka qenë, kjo për shkak të temave të vazhdueshme të cilat po i sjellim janë shumë të reja në të gjithë botën “, tha Qarri, duke shtuar se i gjithë qëllimi i këtij festivali është që t’i motivojnë të rinjtë që të vinë e të dëgjojnë jo vetëm për sukseset, por edhe sfidat të cilat kalohen për të qen të suksesshëm.
Kurse, Mariam Mourad, e cila është studente e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe e cila ishte pjesëmarrëse në festival, tha se vet temat që përzgjedhin i inspirojnë për të qenë në DOKU.TECH, në të cilin merr pjesë tash e tri vjet.
Në mesin e folësve të tjerë ishin edhe Paulina Chotrova- themeluese dhe CEO e kompanisë softuerike PSK Group Lt; Nikolay Chotrov - inxhinier i Software & Hardware. Pronar i patentave të teknologjisë, eksplorues i teknologjisë së thellë, robotikës dhe protetikës; Kasia Odrozek-drejtore e Insights | Mozilla Foundation; Ralph Talmont-drejtor kreativ dhe zyrtar i komunikimeve, Collectico-themelues, Art in a Place of Work;
“DOKU.TECH”, vazhdon nesër duke nis nga ora 12:00, deri në orën 20:00, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku në mesin e folësve do të jenë Fatos Ismali- senior Data & Arkitekt i Zgjidhjeve IA në Microsoft, UK; Maciej Kuziemski - drejtor menaxhues i Filantropisë për Ndikim, iniciativë në Evropë Qendrore; Jelena Memet - Feministe, aktiviste e paqes në Serbi dhe rajon. Themeluese i Programit Shkolla Feministe Pranverore, si dhe Shermin Voshmgir - autore e librit më të shitur "Token Economy",themeluese e Token Kitchen dhe BlockchainHub, Berlin.
Duke bërë këtë, “DOKU.TECH” ka luajtur një rol jetik në formësimin e së ardhmes së industrisë së teknologjisë së Kosovës.