Ukraina dhe aleatët e saj rajonalë e kanë kritikuar Papa Françeskun më 10 mars, i cili gjatë një interviste sugjeroi se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën dhe e përdori termin “flamuri i bardhë”.
Vatikani u mundua më vonë t’i tërheqë disa prej fjalive, duke thënë se Françesku nuk po fliste për “kapitullimin”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e kritikoi Françeskun – pa ia përmendur emrin – duke thënë se “kisha duhet të jetë me popullin. Dhe, jo 2.500 kilometra larg, diku, të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që dëshiron të të shkatërrojë”.
Më herët, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, reagoi më drejtpërdrejt në rrjetet sociale, duke thënë se “kur bëhet fjalë për ‘flamurin e bardhë’, ne dimë strategjinë e Vatikanit nga pjesa e parë se shekullit XX”.
Kuleba shkroi në rrjetet sociale: “Bëj thirrje për shmangien e përsëritjes së gabimeve të së kaluarës dhe për mbështetje për Ukrainën dhe popullin e saj në luftën e tyre të drejtë për mbijetesë”.
“Flamuri ynë është verdhekaltër. Me këtë flamur ne jetojmë, vdesim dhe triumfojnë. Ne nuk do të ngremë kurrë të tjerë flamuj”, shtoi ai.