Ngritet aktakuzë për rastin me fatalitet të trefishtë në autostradë
Lexohet për: 2 min.
Foto-Prokuroria-Themelore-Prizren
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.S., dhe I.H., të cilët gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit A.S., dhe I.H., me datë 16. dhjetor 2023 rreth orës 22:30, në autostradën "Ibrahim Rugova" në Prizren, nga aksi rrugor "Prizren-Veri" në drejtim të aksit rrugor "Prizren Jug" ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, në bashkëkryerje kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor duke organizuar gara të kundërligjshme automobilistike.

“I pandehuri i parë, A.S me automjetin A rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, derisa i pandehuri i dytë, I.H me automjetin B rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës, me ç’rast duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre, me një shpejtësi dukshëm më të madhe në raport me shpejtësinë e lejuar, i akuzuari i parë humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin C, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë godet për vdekje këmbësorët, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës, gjegjësisht viktimat: N.B., M.D., dhe L.S., dhe në të njëjtën kohë u shkakton lëndime të rënda trupore të dëmtuarve: M.Z., dhe B.P., si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët gjithashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme”, thuhet në aktakuzë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025