Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Alain Giresse ka folur sot në një konferencë për media para ndeshjes me Izraelin, e parë për ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
Duke folur për grupin ku bënë pjesë Kosova, trajneri framcez deklaroi se nuk është grup shumë i vështirë, por që asnjëri prej rivalëve nuk duhet të nënvlerësohet.
Tutje, ai konfirmoi mungesën e dyshes Elbasan Rashani dhe Uran Bislimi për këtë ndeshje, teksa zbuloi gjithashtu se anësori Ermal Krasniqi nuk është ftuar në kombëtare, por që mund të ftohet nëse këto ditë ndonjë lojtar nuk është në formën më të mirë fizike.
“Në krahasim me listën fillestare të cilën e keni parë i kemi dy ndryshime. Ndryshimi i parë është Elbasan Rashani i cili mungon për shkak të lëndimit dhe emri i dytë është Uran Bislimi...Sa i përket Ermal Krasniqit, ai bën pjesë në atë që ne e quajmë paralistë, do të thotë nuk ishte ftuar në këtë grupin prej 25 lojtarëve të cilët i dimë, do të thotë ishte pjesë e kësaj paraliste dhe mbetet të shihet pastaj ne nuk e dimë ende situatën e grupit për shkak se jo të gjithë lojtarët kanë ardhur dhe janë grumbulluar, pastaj kemi disa lojtarë të cilët ndoshta nuk po ndihen mirë si? është rasti i Arbnor Mujës, pra mbetet një situatë e cila duhet të shihet, ndoshta edhe ftohet.”, theksoi ai.
Ndërkohë, menaxheri i kombëtares, Bajram Shala ka zbuluar se futbollisti Uran Bislimi ka refuzuar të luajë për Kosovën me arsyetimin se për shkak të dyshtetësisë ende nuk e di nëse do të luajë për Kosovën apo Zvicrën. Në të njëjtën situatë, Shala zbuloi se ndodhet edhe Mërgim Berisha.
Madje, për Bislimin Shala deklaroi se ai i ka humbur të gjitha mundësitë që të luajë për Kosovën.
Për Berishën, Shala tha se ëndrra e tij është që të luajë me Gjermanin edhe pse Kosova ka bërë gjithçka për të.
“Mërgim Berishën jemi duke e pritur që katër vite e gjysmë. Jemi pajtuar me të në kohën kur ka qenë duke luajtur në Salsburg që të jetë pjesë e ekipit kombëtar në ndeshjet e tetorit të vitit 2019...I kemi ofruar gjithçka që mund t’i ofrohet një lojtari deri tek detajet e pajisjes me patentë shofer në Kosovë, deri aty kemi shkuar me Mërgim Berishën dhe kemi diskutuar me agjentin e tij. Gjithçka që mund t’i ofrohet një lojtari Kosova i ka ofruar Mërgim Berishës, mirëpo nëse ëndrra e tij ka qenë të luaj me Gjermaninë, tash duket se po e realizon ai.”, theksoi Shala.