Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të martën për të rritur presionin ndaj Hamasit në Gazën e shkatërruar prej luftës, pasi Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar shifrën e lartë të viktimave civile në sulmet e fundit.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
“Ata po përballen me presion në rritje sepse po i lëndojmë, po eliminojmë komandantët kryesorë dhe mijëra terroristë. Ata janë nën presion për shkak të kërkesave tona të qarta, pavarësisht gjithë presionit”, ka thënë ai, si duket si referencë për shqetësimet ndërkombëtare për shifrën e viktimave civile në Gazë.
“Kjo është saktësisht koha për të rritur edhe më shumë presionin, për t’i kthyer në shtëpi të gjitha pengjet – të gjalla dhe të vdekura – dhe për të përmbushur të gjitha objektivat e luftës”, ka thënë Netanyahu.
Sipas disa dëshmitarëve në Gazë, tri sulme ajrore kanë lënë më shumë se 40 persona të vdekur brenda një ore ditën e martë.
Në fundjavë është raportuar të jenë vrarë më shumë se 90 persona, si pasojë e bombardimeve izraelite në zona të sigurta.
Lufta e nisur më 7 tetor të vitit të kaluar është nxitur prej Hamasit, pasi militantët e grupit kanë kryer sulme në jug të Izraelit, duke lënë të vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.
Rreth 116 pengje besohet se janë ende në Gazë, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze./REL/