Kryeministri Benjamin Netanyahu, ka refuzuar thirrjet e Shteteve të Bashkuara që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij ushtarake në Rripin e Gazës ose të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një shteti palestinez pasi të mbarojë lufta. Ky refuzim i tij shkaktoi menjëherë kritika nga Shtëpia e Bardhë.
Tensionet për këto çështje reflektuan një përçarje të madhe mes dy aleatëve lidhur me madhësinë e luftës së Izraelit dhe planet e tij për të ardhmen e territorit të rrethuar.Deklarata e Netanyahut më 18 janar erdhi një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli nuk mund të ketë asnjëherë “siguri të mirëfilltë” pa një rrugë drejt pavarësisë palestineze. Më herët gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë po ashtu ka thënë se është “koha e duhur” që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij shkatërruese në Gazë.
Gjatë një konference për media, Netanyahu shprehu një qëndrim të ndryshëm nga Uashingtoni. Ai vazhdimisht deklaroi se Izraeli nuk do të ndalë ofensivën derisa të përmbushë qëllimet e tij për të shkatërruar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe të kthejë në shtëpi pengjet që po mbahen nga grupi radikal palestinez.
“Ne nuk do të pajtohemi me asgjë tjetër përpos fitores absolute”, tha Netanyahu.
Izraeli nisi ofensivën pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur luftëtarët e grupit vranë 1.200 persona dhe morën peng afër 250 të tjerë. Afër 130 pengje Izraeli beson se ende janë nën robërimin e Hamasit. Lufta ka rritur tensionet në mbarë rajonin, duke kërcënuar nxitjen e konflikteve të tjera.
Kostoja e madhe e luftës ka çuar në intensifikimin e thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që Izraeli të ndalë ofensivën. Aleatja kryesore e Izraelit, SHBA-ja, ka nisur të shprehë mospajtime dhe i ka bërë thirrje Netanyahut që të tregojë vizionin e tij për Gazën e pasluftës./rel/