Nesër vazhdon seanca konstituive, AAK thotë se nuk votojnë komision anti-kushtetues
Nesër do të vazhdojë seanca e 47-të konstituive e Kuvendit të Kosovës, megjithatë, as në këtë seancë nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim. Kjo për shkak se koalicioni që ka më së shumti vota, Lëvizja Vetëvendosje, Alternativa dhe Lëvizja Guxo, e as partitë tjera të mëdha, nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre.
Komisioni që mundëson votimin e fshehtë nuk po mbështetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo çështje madje është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka dhënë aktgjykimin e saj, por i njëjti po interpretohen në mënyra të ndryshme nga subjektet politike.
Kushtetuesja ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.
Këto parti kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa nuk kanë as votat për formimin e Qeverisë, për çka kanë thënë se nevojitet marrëveshje politike. Megjithatë, në LVV kanë thënë se kjo duhet provuar duke votuar fillimisht konstituimin e Kuvendit.
Ndërkohë, PDK dhe LDK iu ka drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese që të sqarojë nëse seancat e fundit kanë shkelur Kushtetutën. Gjithashtu, edhe presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se së shpejti do t’i dërgohet Kushtetuese se cilat janë masat që duhet të merren nëse nuk konstituohet Kuvendi deri më afatin e paraparë prej një muajsh.
Ajo për KosovaPress ka theksuar se deputetët e AAK-së nuk do të votojnë për një komision që është anti-kushtetues dhe nuk ka shumicën e votave të nevojshme.
"Në vazhdimësi do të kërkojmë t'i kthehet vendimit të Gjykatës Kushtetuese, t'i kthehet rendit të ditës së përcaktuar me rregullore të Kuvendit dhe me ligjet e Kosovës. Nuk votojmë në një komision që s'ka vota dhe që është antikushtetues", ka theksuar Kadrijaj.
"Pikërisht për këtë çështje ne e kemi dërguar lëndën në Gjykatë Kushtetuese, kemi marrë një verdikt të cilin zotëri Kurti, LVV nuk po e respektojnë. Dhe nuk mund të na detyrojnë në njëfarë forme Albin Kurti me u barazu dhe me qenë edhe ne shkelës të Kushtetutës, njëjtë sikurse po vepron Albin Kurti dhe LVV", ka thënë Kadrijaj.
Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.