Në dy javët e fundit të gushtit, mbi 100 seminaristë nga e gjithë bota do të marrin pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Këtë vit shënohet edicioni i 40-të, i seminarit, ku do të mbahen ligjërata nga albanologë të huaj e vendor. Edicioni i sivjetmë do të nis të hënën dhe do të përfundojë me 26 gusht.
Drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi në intervistën për KosovaPress, thotë se nga viti 1974, kur ka nisur të organizohet seminari, është arritur që Prishtina dhe Kosova të shndërrohet në qendër të albanologjisë.
Akomodimi i seminaristëve do të bëhet në konviktet e Qendrës Studentore të Universitetit të Prishtinës. Përveç ligjëratave të albanologëve të shquar, do të mbahen dy herë në ditë edhe kurset e gjuhës.
Drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi shton se këtë vit do të shënohet numër rekord i pjesëmarrësve në 40 vjetorin e edicionit, ndërkohë që seminari organizohet tash e 48 vjet.
Seminari i Gjuhës Shqipe tashmë është bërë një qendër e studimeve albanologjike, për çka Munishi tregon se në dy javët e fundit të gushtit do të ketë gjallëri në kryeqytet.
“Është një edicion jubilar dhe ne kemi ftuar albanologë prominent që të jenë pjesëmarrës në seminar. Këtë vit do të kemi disa ligjërata shumë të rëndësishme të albanologëve të shquar të huaj dhe shqiptarë. Këtë vit do ta kemi mysafire albanologen e nderuar Irena Sawicka, Artur Karashinski, Ekaterina Tompomanova, Eda Derhemi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bardhyl Demiraj dhe natyrisht do të kemi ligjërata nga albanmologë të shquar vendas të Kujtim Shalës, Kujtim Rrahmanit, Rrahman Paçarizit. Këtë vit kemi një numër të konsiderueshëm të ligjëratave”, njofton Munishi.
Ky seminar, i cili është themeluar në vitin 1974, organizohet për studentët dhe studiuesit e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, por edhe për albanologjinë në përgjithësi.