Nesër do të fillojë shitja e librave shkollorë për nxënësit, prindërit: Metoda e vjetër më e mirë
Lexohet për: 4 min.
librat-shkollor-220824
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ndonëse viti i ri shkollor do të fillojë në më pak se 10 ditë, ende nuk ka filluar shitja e librave shkollorë për nxënësit. Ky proces pritet që të fillojë më 28 gusht. Ndërkaq, prindërit thonë se hasën në vështirësi gjatë procesit të aplikimit si dhe potencuan se metoda e më hershme, ku nxënësve u shpërndaheshin librat nëpër shkolla ka qenë më e lehtë për ta.

Rimbursimi i mjeteve përmes subvencionimit nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po konsiderohet si metodë jo e duhur nga këshilli i prindërve, porse njëjtë nuk mendojnë njohësit e arsimit.

Ndërkaq, nga libraritë thanë se gjithçka është gati që të fillojë shitja e teksteve shkollore, porse kanë pritur dritën e gjelbër nga MASHT-i, për të filluar shitjen e tyre.

Nëna e një nxënësi në klasën e tetë, Metije Hasolli tha se sot ka vizituar disa librari për t’i blerë tekstet shkollore për djalin e saj, porse u kthye “duarthatë”.

Përveç kësaj, Hasolli tha se është detyruar të kërkojë ndihmë për të aplikuar për mjete në platformën E-Kosova pasi ka pasur njohuri.

Nexhmije Krasniqi, nëna e një nxënësi  të klasës së gjashtë tha se metoda e mëhershme ku nxënësit i merrnin në shkolla librat shkollorë ka qenë më e lehtë. Derisa këtë mënyrë që po zbatohet tash e dy vite, Krasniqi e quajti të komplikuar.

Nënkryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Visar Islami konsideron më të arsyeshëm dhe të denjë furnizimi me tekste sesa subvencionimin.

Sipas tij, mundësitë janë që deri në fund të muajit tetor të mos mund të pajisen me libra të gjithë nxënësit.

Për KosovaPress Islami tregoi se vitin e kaluar, çmimet e librave kanë ndryshuar nga njëra librari tek tjetra.

Ndërkaq, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja në një prononcim për KosovaPress tha se çmimet e librave nuk guxojnë të jenë më të larta se shuma e mjeteve që jepet nga MASHT-i.

Qehaja potencon se i takon ministrisë së Arsimit të ofrojë përkrahje për prindërit që hasin në vështirësi gjatë procesit të aplikimit për mjete.

Por, përtej kësaj, këtë metodë të shpërndarjes ë mjeteve, Qehaja e vlerëson si më të përshtatshme se ajo në të kaluarën.

Sebahete Çavdarbasha nga libraria “Dukagjini” tha se shitja e librave shkollorë për nxënësit do të fillojë që nga nesër. Ajo tha se kanë qenë të gatshëm, porse kanë pritur lajmërimin nga ministria e Arsimit për të filluar shitjen e tyre.

Ajo tha se çmimet nuk kanë ndryshuar prej vitit të kaluar.

“Ne kemi qenë të gatshëm dje, jemi të gatshëm për të filluar por nuk është varur vetëm prej neve…Ne si e kemi marrur lajmin që mund të fillojmë, ne kemi qenë për nga logjistika të gatshëm dhe besoj që nesër në mëngjes do të fillojmë…Si e kemi marrur vizën për shitje, ne me zbrit ju poshtë se jeni gati prej klasës parë seri në të nëntën, të gjitha botet e Dukagjinit i kemi. Mirëpo, edhe një e mirë tjetër, se vjet është krijuar një konfuzion shimë i madh, i kemi edhe librat e shtëpive të tjera botuese të cilat përdoren prej klasës së parë deri të nëntën, e kemi edhe Albasin dhe librin shkollor…Sipas të gjitha gjasave nesër në mëngjes në orën 9:00 do të fillojë deri në mbrëmje…e di një gjë, që çmimet në dijeninë time nuk kanë ndryshuar prej vitit të kaluar”, tha Çavdarbasha.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024