Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu kanë nënshkruar plotësim ndryshimin e Memorandumit të Bashkëpunimit për ndërtimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në komunën e Ferizajt.
Vlera totale e ndërtimit është 2 milionë e 250 mijë euro, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
Ministri Arben Vitia ka thënë se ndërtimi i QKMF-së është në funksion të një infrastrukture moderne me synimin që të ofrojë shërbime sa më cilësore për qytetarët e komunës Ferizajt.
"Ngaqë në të kaluarën janë identifikuar probleme serioze në zbatimin e kontratës gjatë ndërtimit të spitalit të Ferizajt, bashkërisht si institucione jemi angazhuar që mos të përsëriten pengesat teknike në rastin e ndërtimit të QKMF-së”, ka thënë ai.