Në veri shënohet pesë vjetori i vrasjes së Ivanoviqit
Lexohet për: 5 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Familjarë, bashkëpunëtorë të afërt dhe qytetarë, kanë vënë lule dhe kanë ndezur qirinj sot në pesë vjetorin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, para selisë së Iniciativës Qytetare ‘Liri, demokraci, drejtësi’ në veri të Mitrovicës.

Në vendin e vrasjes u mbajtën dy ngjarje përkujtimore, njëra në kohën kur kishte ndodhur vrasja në 8:15 e organizuar nga familja dhe tjetra në ora 10:00 e organizuar nga Iniciativa e tij qytetare.

Në të dyja këto përkujtime folësit kritikuan organet gjyqësore të Kosovës, Serbisë, por edhe Bashkësinë Ndërkombëtare, për angazhim dhe interesim të pamjaftueshëm në zgjidhjen e kësaj vrasje.

Dejan Nedelkoviq, shok i të ndjerit Ivanoviq, pasi si propozoi një minutë heshtje të të gjithë pjesëmarrësve, tha se kjo heshtje po bëhet kundër organeve relevante të cilat që pesë vite janë duke heshtur.

“Arsyeja e një minute të heshtjes dhe heshtjes në përgjithësi është pikërisht kundër atyre të cilët janë duke heshtur që pesë vite, ndërsa me siguri dinë më shumë se ne, si për vrasjen, urdhërdhënësit, po ashtu edhe të kryesve. Para së gjithash e kam fjalën për gjyqësinë dhe shtetin e Kosovës, gjyqësinë dhe pushtetin e Serbisë, e cila po ashtu është duke udhëhequr hetimet paralelisht, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare, e cila që pesë vite është duke heshtur”, ka thënë Nedelkoviq.

Savo Manojlloviq, pjesëmarrës në këtë përkujtim, theksoi se qyteti i Mitrovicës duhet ta përkujtojë gjithmonë Oliver Ivanoviqin dhe të mos lejojë që ai të harrohet.

“Mitrovica duhet ta mbajë mend dhe ta kujtojë, sepse nëse Mitrovica e harron atë, atëherë Mitrovica dhe as veriu i Kosovës nuk do të ekzistojnë më”, tha ai.

Mirosllav Aleksiq, nënkryetar i Partisë Demokratike në Serbi, njëherësh deputet i parlamentit serb, duke kritikuar organet gjegjëse që edhe pas pesë vitesh nuk kanë arritur të zbulojnë të vërtetën, tha se të shtënat ndaj Oliverit kanë qenë të shtëna ndaj Serbisë dhe qytetarëve serbë si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

“Të shtënat ndaj Oliverit kanë qenë në fakt të shtëna ndaj Serbisë, ndaj juve që jetoni këtu në Kosovë dhe të shtëna ndaj neve të cilët jetojmë në Serbinë qendrore. Për më keq, edhe pas pesë vitesh nuk arrihet të kuptohet e vërteta, kush janë urdhërdhënësit dhe kryesit e këtij akti”, u shpreh Aleksiq.

Edhe Ksenija Bozhoviq, nënkryetare e Iniciativës Qytetare ‘Liri, demokraci, drejtësi’ dhe bashkëpunëtore më e ngushtë e të ndjerit Ivanoviq, ka potencuar interesimin e qytetarëve për të ditur autorin dhe urdhërdhënësin e vrasjes së bashkëpartiakut të saj.

“Ne nga ky vend kemi vetëm një porosi. Na intereson që pas pesë vitesh të dimë kush e vrau Oliver Ivanoviqin, kush e porositi vrasjen e tij, dhe nuk do të ndalemi së parashtruari këto pyetje”, tha Bozhoviq.

Në anën tjetër, procesi gjyqësor në lidhje me vrasjen e politikanit serb është duke vazhduar pranë Departamentit special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku në cilësinë e të dyshuarve janë edhe emrat e bosëve të njohur të krimit, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, si udhëheqës të grupit kriminal që ndërlidhet me këtë vrasje.

Avokati i njërit prej të akuzuarve në rastin Ivanoviq, Musa Damati, ka bërë të ditur për KosovaPress se dëshmitarët anonimë të propozuar nga Prokuroria Speciale, kanë ndryshuar deklaratat për shkak të zbulimit të identitetit të tyre nga grupet kriminale, dhe kërcënimit që ju kanoset atyre dhe familjeve të tyre.

Sipas tij, procesi gjyqësor është drejt fundit, por shqetësim, sidomos për profesionistët, mbetet fakti se aktakuza e Prokurorisë përmban edhe shumë persona të panjohur, individë të caktuar, të cilët asnjëherë nuk është arritur të arrestohen dhe të sillen para drejtësisë.

“Një ndër çështjet kruciale e cila e përbën këtë procedurë penale është se dëshmitarët e mbrojtur dhe anonimë të propozuar nga PSRK-së, kanë ndryshuar deklaratat e tyre, përkatësisht në seancat gjyqësore kanë refuzuar të japin dëshmitë e tyre, me arsyetimin se kanë arritur që të deshifrohen nga grupet kriminale, dhe janë të kërcënuar për jetën e tyre dhe të familjeve të tyre. Po ashtu e rëndësishme është të theksohet se dëshmitarët tjerë… mes tjerash deputetë të Parlamentit të Kosovës, të Parlamentit të Serbisë, janë munduar në vazhdimësi që të shmangin dëshmitë e tyre në këtë çështje penale… Procesi gjyqësor është duke shkuar drejt përfundimit, por ajo që mbetet shqetësuese për profesionistët është se aktakuza e PSRK-së përmban edhe shumë persona NN të panjohur, emra të përveçëm të individëve të caktuar, të cilët asnjëherë nuk është arritur të arrestohen dhe të sillen para drejtësisë”, tha ai.

Ish-lideri i Iniciativës Qytetare ‘Liri, demokraci, drejtësi’, Oliver Ivanoviq, u vra më 16 janar 2018 me gjashtë plumba para selisë së partisë në veri të Mitrovicës, ndërsa edhe pas kësaj kohe autorët si dhe urdhërdhënësit e këtij krimi mbeten të panjohur.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024