Në Prishtinë po mbahet Platforma Evropiane e Sportit
Sport
Lexohet për: 5 min.
467876466_1581660069176164_82076141503478993_n
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Prishtinë po organizohet Platforma Evropiane Sportit nga Komiteti Olimpik i Kosovës me temën “Vlerat e sportit: ndërtimi i urave në një Evropë të bashkuar”

Qëllimi i kësaj platforme është formësimi i të ardhmes së sportit bazë (grassroots) në Evropë, me idenë për t’i përgatitur organizatat dhe klubet në analizimin e mënyrës se si shoqëria jonë mund të avancojë falë vlerave si: Integriteti, barazia dhe qeverisja e mirë në sport.

Presidenti i Organizatës Jo Qeveritare të Sportit Evropian (ENGSO) Stefan Bergh tha se klubet sportive angazhojnë dhe fuqizojnë njerëzit dhe se qëllimi i kësaj platforme është ndërgjegjësimi i shoqërisë për rëndësinë e sportit.

“Platforma evropiane është ngjarja jonë kryesore, është edicioni ynë i 7-të, një organizim që na lidhë me organizata anëtare, studiues, ndoshta organizata të tjera sportive, duke hartuar një program që është i rëndësishëm për ju si përfaqësues të sporteve në Evropë. Me synimin kryesor për të rritur ndërgjegjësimin, thellimin e njohurive dhe ndoshta duke ju dhënë një shans për të sjellë në shtëpi këto përvoja, ndoshta rrjete të reja, por edhe njohuri për të zhvilluar punën tuaj, në vendin tuaj. Dhe për ne, jam i sigurt se ne përpiqemi të identifikojmë çështjet që janë në agjendën strategjike për ju si organizata sportive. Duke thënë këtë, mendoj se është e rëndësishme të theksohet fakti që ne duhet në nivelin tonë strategjik, të diskutojmë këto çështje, por mos harroni kurrë se sporti i vërtetë po bëhet në klube sporti. Në klube sporti ku takohen të gjithë këta drejtues dhe sportistë. Klubet sportive angazhojnë dhe fuqizojnë njerëzit, si pjesëmarrësit në sport, atletë, trajnerë, drejtues vullnetarë, duke kontribuar në shëndetin dhe mirëqenien e tyre të përgjithshme, duke mësuar aftësitë e reja, duke krijuar miqësi dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës”, tha Bergh.

Ndërsa Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi deklaroj se sporti vazhdon të mbetet si urë shumë e rëndësishme për lidhjen e njerëzve përtej kufijve, kulturave dhe brezave, duke ofruar një gjuhë unike që nuk njeh dallime.


“Ndërsa jemi mbledhur këtu në kohën kur bota përballet me sfida të shumta, Sporti vazhdon të jetë përfaqësues i shpresës, unitetit dhe transformimit. Kjo platformë na ofron një shans, jo vetëm për të formuar një të ardhme të sportit evropian bazë, por për të diskutuar se si vlerat themelore të integritetit, barazisë dhe qeverisjes së mirë mund të shërbejnë si mjete për një shoqëri më të mirë. Sporti, siç e dimë, nuk ka të bëjë vetëm me konkurrencën apo fitoren, por ka të bëjë me ndërtimin e urave. Ai lidh njerëzit përtej kufijve, kulturave dhe brezave, duke ofruar një gjuhë unike që nuk njeh dallime. Integriteti, një nga vlerat thelbësore, shërben si një busull morale, duke udhëhequr organizatat dhe komunitetet e atletëve. Na kujton se udhëtimi është po aq i rëndësishëm sa destinacioni dhe se drejtësia dhe ndershmëria duhet të mbeten në zemër të gjithçkaje që bëjmë”, theksoi Krasniqi.

Nga ana tjëtër, Drejtori i Departamentit të Sporteve në Minsitrinë për Kukturë, Rini dhe Sport, Ibër Alaj, tha se po e rreshton politikën sportive të Kosovës me standarde evropiane,

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me organizata si ENCO, e kanë ngritur sportin në një nivel më të lartë duke e përdorur atë për përfshirjen sociale, promovimin e shëndetit dhe ndërtimin e komunitetit. Udhëheqja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit po e rreshton politikën sportive të Kosovës me standarde evropiane, ka bërë partneritet që kalon kufijtë. Këto bashkëpunime sigurojnë që të rinjtë tanë, veçanërisht fëmijët, të kenë akses në mundësi të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për të zhvilluar dhe ndërtuar përmes sportit. Me konsensus në Kosovë me 34 vende të tjera evropiane nën ombrellën e Enso-s, dëshmohet se sporti ka aftësi unike për të kapërcyer ndarjen, për të promovuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të luftuar për mundësi të barabarta për të gjithë evropianët, vlera që janë më të rëndësishme se kurrë”, tha Alaj.

Të pranishëm në këtë ngjarje janë rreth 70 përfaqësues të shteteve të ndryshme, dhe po aq vendorë. Platforma krahas punëtorive po zhvillohet edhe në formë të paneleve, me panelistë që janë udhëheqës të sportit në Kosovë, personalitete të sportit vendorë, si dhe udhëheqës të sportit ndërkombëtarë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025