Blegtorët nga Shqipëria përballen me vështirësi sa i përket prodhimit të qumështit, të cilët ankohen se nuk kanë përkrahje nga shteti dhe janë të detyruar të derdhin qumështin në rrugë për shkak të çmimit të ulët. Derisa kanë protestuar disa herë, të njëjtit kanë kërkuar mbështetje më të madhe nga qeveria atje. Megjithatë, eksperti i blegtorisë njëkohësisht blegtor, Ervin Resuli, ka përmendur për KosovaPress problemet që ata ballafaqohen.
Sipas tij, mungesa e subvencioneve në nivele jo të kënaqshme i ka detyruar herë pas herë edhe përpunuesit t’i drejtohen tregut të rajonit apo edhe më gjerë. Ndërkaq, në vendin tonë, nga shoqata e prodhueseve të qumështit të Kosovës, ankohen se ka rënie të prodhimit. Të njëjtit ankohen se ka mungesë të fuqisë së punëtorëve dhe krerëve të bagëtive.
Në anën tjetër, Melihate Jashari, nga Shoqata e Prodhueseve të Qumështit të Kosovës thotë se ka rënie të prodhimit të përpunuesve të qumështit. Ndonëse thotë se subvencionet nga shteti duhet të jetë më e madhe në mënyrë që blegtoret të stimulohen dhe të merren me këtë lëmi.
Ndërkaq, në Shqipëri në shenjë pakënaqësie, blegtorët kanë derdhur një tanker me qumësht të freskët në rrugët atje. Sipas tyre, qumështi shitet me çmim tejet të lirë, pasi grumbulluesit dhe fabrikat e përpunimit të bulmetit kanë fiksuar çmimin 50 lek për litër./E. Krasniqi