Në Ditën Ndërkombëtare për pagën e jetesës, Instituti “Musine Kokalari” kërkon vendosjen e pagës për të jetuar në Kosovë
Lexohet për: 7 min.
Dëgjoje me zë...
Në Ditën Ndërkombëtare për pagën e jetesës, Instituti “Musine Kokalari” kërkon vendosjen e pagës për të jetuar në Kosovë
paga e jetesess05
05/09/2025 - 11:46
Linku u kopjua

Paga e jetesës është shuma minimale që një person ka nevojë për të përballuar kostot bazë të jetesës – ushqim, strehim, shëndetësi, arsim dhe nevoja të tjera jetësore.

Në Ditën Ndërkombëtare për Pagën e Jetesës, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” ka publikuar një raport të detajuar, në të cilin theksohet se paga minimale aktuale në Kosovë nuk mjafton për të siguruar një jetë dinjitoze për punëtorët.

Instituti kërkon nga institucionet vendore që të nisin sa më parë diskutimet për vendosjen e një page për të jetuar, që përfshin shpenzimet reale të jetesës dhe siguron mirëqenie për qytetarët.

Sipas raportit, paga minimale prej 350 eurosh aktuale është shumë larg asaj që i nevojitet një individi apo një familjeje për të përballuar koston mujore të jetesës, raporton KosovaPress.

Drejtori ekzekutiv i Institutit, Visar Ymeri, thotë për KosovaPress se diskutimet për pagën minimale kanë qenë të mangëta pa përfshirjen e konceptit të pagës për të jetuar, e cila bazohet në nevojat reale të qytetarëve.

“Kemi folur në Kosovë veçanërisht kohëve të fundit shumë për pagën minimale në të gjitha diskutimet që ka qenë për ndryshimin e ligjit, e kështu me radhë mirëpo shumë pak është përmend edhe një koncept tjetër, si analizë ekonomike dhe si vendim qeveritar, e që do të duhej të ishte paga për të jetuar. Mënyra si e llogarit atë pagë që do të ishte e mjaftueshme për një person, duke i marrë parasysh të gjitha shpenzimet që i ka personi ose familja. Ajo është mënyra më e mirë se qysh e përcakton shumën e parave mujore që do të duhej ta kishte një familje, varësisht numrit të anëtarëve, për të jetuar një jetë në mirëqenie, sepse ka dallim në mes të mbijetesës dhe jetës në mirëqenie, domethënë të dyja mund të jenë në distancë të madhe. Paga minimale është term ekonomik që përdoret gjithandej në botë, por kohëve të fundit ka filluar shumë më shumë të përdoret paga ose koncepti i pagës për të jetuar që nënkupton llogaritjen ose përllogaritjen e të gjitha shpenzimeve që mund t'i ketë individi ose familja brenda një muaji, duke pasur parasysh nivelin e kalorive, veshmbathjes, higjienës, koston e banimit dhe të tjerat, në mënyrë që të ketë një jetë në mirëqenie”, thekson Ymeri.

Ai vlerëson se paga për të jetuar duhet të jetë udhërrëfyes për politikat socio-ekonomike në vend. Sipas tij, përfshirja e konceptit të pagës për të jetuar në diskursin publik do të ndihmonte që vendimmarrja qeveritare të jetë më e ndjeshme dhe më e orientuar drejt mirëqenies së qytetarëve.

“Ka një diskrepancë jashtëzakonisht të madhe në shumën në mes të pagës minimale në secilin vend, jo vetëm në Kosovë, dhe pagës që do të kishte me qenë e nevojshme dhe e duhur për ta mbuluar këtë kosto. Pra, kemi dëgjuar shpesh që së paku në Shqipëri e përdorim edhe konceptin minimumi jetik, ose minimumi për të jetuar është pak a shumë i njëjti diskutim. Dhe, ky është një diskutim që ka marrë goxha shumë shprehje për shkak të pabarazive globale që ndodh në paga dhe për shkak të llogaritjes që vjen, që e kemi parë edhe në Kosovë, në të cilën paga minimale  synon të mbulojë vetëm nevojat bazike që ka njeri. Mirëpo, ne të gjithë e dimë, e kemi përvojën që mbulimi i nevojave bazike nuk është i mjaftueshëm për një jetë të mirëqenë... 02: 30 Dhe këtë drejtim ne si institut, duke e pasur parasysh...ditën ndërkombëtare, pra 5 shtatori si Ditë ndërkombëtare e pagës për të jetuar, e kemi parë të udhës që të fillojmë dhe tentojmë ta shtyjmë në debatin mbi mirëqenien dhe ekonominë në Kosovë edhe këtë koncept, në mënyrë që edhe vendimmarrja të jetë e vetëdijshme dhe të jetë pak më e gjerë në identifikimin e nevojave dhe mënyra se si këto nevoja të qytetarëve të Republikës reflektohen në pagën që ata e marrin”, thotë Ymeri.

Sipas raportit të Institutit "Musine Kokalari", të publikuar gjatë vitit 2024, paga minimale prej 350 eurosh në Kosovë është larg të qenit e mjaftueshme për një jetë dinjitoze.

Drejtoresha e programit, Drenusha Canolli tregon të gjeturat që kanë rezultuar nga ky raport.

“Gjatë vitit 2024, në institutin tonë kemi bërë një raport, ku kemi bërë llogaritjen e pagës minimale në Kosovë. Gjetjet kanë rezultuar që paga minimale në Kosovë nuk rezulton me një pagë të dinjitetshme për punëtorin. Duke ditur që paga minimale në Kosovë është 350 euro, kjo nuk mbulon jetesën për një person. Gjatë raportit kemi dalë me disa rezultate, ku vetëm për një person është e mjaftueshme një shumë prej 720 euro për jetesë, ndërsa nëse një familje me katër anëtarë, një shumë prej 1 mijë e 240 eurosh, atëherë është e mjaftueshme për jetesë. Gjatë gjetjeve tjera, është se në Kosovë vetëm një në pesë punëtorë e kanë të mjaftueshme pagën për jetesë, ndërsa pjesa tjetër çalon rreth jetesës, me këtë pagë që ne e kemi marrë si rezultat. Po ashtu, kemi parë një hendek të madh në mes pagesës midis burrave dhe grave, ku burrat ka rezultuar të paguhen më shumë sesa gratë, ndërsa sektorët që gratë paguhen në mënyrë të barabartë me burrat janë sektori i energjisë, sektori i organizatave dhe disa kompanive, kompanive të ndryshme, mirëpo jo në të gjithë sektorët që janë në Kosovë...Ndërsa në sektorin publik rreth 92 për qind e kësaj shifre e mbulojnë pagën minimale, ndërsa në sektorin në sektorin privat është vetëm 70 për qind e kësaj shume”, nënvizon Canolli.

Duke iu referuar zhvillimeve të vitit 2025, Canolli paralajmëron se situata është përkeqësuar edhe më shumë për shkak të rritjes së kostos së jetesës.

“Ndërsa, nëse flasim për 2025 dhe vazhdojmë me këtë pagë të jetesës, atëherë kostoja dhe çmimet tashmë kanë vazhduar rritjen, atëherë gjendja është përkeqësuar më shumë rreth pagës minimale dhe vazhdimit të jetesës”, pohon Canolli.

Se paga minimale aktualisht është e ulët në Kosovë, e thotë edhe njohësi për çështje të ekonomisë, Mustafë Kadrijaj. Ai kërkon që paga minimale të jetë 700-800 euro.

"Vet fakti që çdo ditë e më shumë është duke u rritur pakënaqësia tek qytetarët dhe gatishmëria për t'u larguar nga vendi, tregon se nuk i plotëson kushtet e nevojshme që të mund qytetari të jetojë në vend. Se çka duhet të bëjë qeveria, vlerësoj se në bazë të inflacionit duhet të rritet paga minimale dhe të vlerësojë se asnjë pagë prej 500 euro nuk do i përmbushte kushtet e nevojshme, ose minimale për një jetë solide tek qytetarët. Vlerësoj se tash e tutje duhet bërë një pagë 700 ose 800 euro për faktin se duke marrë inflacionin dhe duke krahasuar pagën në nivel perëndimor dhe krahasim tek çmimet e shportës së konsumit, kjo pagë minimale do të plotësonte një jetë normale tek qytetarët", thotë Kadrija.

Raporti i Institutit “Musine Kokalari” fton politikë-bërësit, sindikatat dhe shoqërinë civile që të hapin debatin mbi vendosjen e një page jetese në Kosovë, pasi një jetesë bazike por dinjitoze nuk është luks, por është e drejtë themelore.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026