Zonja e Parë e Ukrainës u bëri thirrje liderëve botërorë dhe shefave të korporatave në Forumin Botëror Ekonomik që të bëjnë më shumë për të ndihmuar shtetin e saj, në kohën kur pushtimi rus po lë fëmijët të vdesin dhe bota po përballet me pasiguri ushqimore.
Teksa afrohet përvjetori i parë i luftës, Olena Zelenska tha se prindërit në Ukrainë po qajnë teksa po shohin mjekët duke u munduar të shpëtojnë fëmijët e tyre, fermerët janë të frikësuar t’i kthehen punimit të fushave nga frika e minave dhe “ne nuk mund të lejojmë që të ndodhë një Çernobil i ri”. Ajo iu referua fatkeqësisë bërthamore të vitit 1986, teksa raketat ruse për muaj të tërë po godasin infrastrukturën e energjisë së Ukrainës.
Ajo foli para qindra zyrtarëve qeveritarë, udhëheqësve të kompanive, akademikëve dhe aktivistëve nga e mbarë bota që po marrin pjesë në forumin që mbahet në Davos. Në këtë forum bisedohet për problemet me të cilat përballet bota sikurse uria, ndryshimet klimatike, ngadalësimi ekonomik dhe tema të tjera.
“Tani kjo është më e rëndësishme në kohën kur agresioni i Rusisë paraqet shumë sfida në Evropë”, tha Zelenska.
“Të drejtën e ushqimit e ka çdo qenie njerëzore dhe është tallje me njerëzimin dhe për natyrën njerëzore që në shekullin 21 ka mundësi që ne të përballemi me uri masive, sepse ka agresion në disa shtete”, tha ajo.
Zelenska tha se “nuk ka asnjë ditë pushim nga lufta” dhe se të gjithë në Ukrainë “po rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë”, por shtoi se beson që bota do të unifikohet për paqe.
Davosi ofron mundësi të re për të dërguarit ukrainas që të zgjerojnë mbështetjen ndërkombëtare, sikurse me armë dhe tanke, por edhe për të kërkuar që Rusia të izolohet edhe më tej dhe të ngufatet ekonomia e saj./REL