Për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, sot ka mbërritur në një vizitë zyrtare në Prishtinë shefja e diplomacisë japoneze Yoko Kamikawa.
Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla vlerësoi se kjo vizitë është një moment historik në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve Kosovë-Japoni.
Ajo gjithashtu theksoi edhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik nëpër të cilin po kalon Kosova në vitet e fundit dhe u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2025, e cila do të organizohet në Osaka të Japonisë.
Gërvalla theksoi se kjo ngjarje do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e njohjes dhe lidhjes së bizneseve të të dyja vendeve, si domosdoshmëri e thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
Gërvalla njoftoi Kamikawa mbi veprimet destabilizuese të Serbisë në rajon, duke përfshirë edhe rastin e agresionit të Serbisë në Kosovë nëpërmjet sulmit terrorist të 24 shtatorit, dhe vështirësitë e procesit të dialogut në Bruksel si rezultat i kësaj qasje të Beogradit.