Ndryshimet dhe kushtet më të mira në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, tanimë janë të dukshme. Kjo pas investimit në katër reparte në këtë klinikë, ku nuk do të mungojnë as shërbime të reja, të cilat do të shërbehen për herë të parë në institucionet publike në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë për KosovaPress, se në repartin e lehonave nga dhjetë shtretër që kanë qenë dikur, tani e tutje në dhomë do të jenë vetëm dy shtretër me një banjë.
Vitia ka shtuar se gratë nuk do të kenë më nevojë që të dalin jashtë shtetit apo të kontrollohen në sektorin privatë, sepse në Klinikën e Gjinekologjisë do të bëhet shërbimi i IVF, amniocentezës dhe mjekësisë fetale, të cilat do të kryhen për herë të parë në institucionet publike të Kosovës.
I gjithë ky investim i ka kushtuar Ministrisë së Shëndetësisë rreth pesë milionë euro, dy milionë vetëm në pjesën infrastrukturore, mbi një milion pajisjet për IVF dhe të tjerat.
Për herë të fundit, në vitin 2003 në Klinikën e Gjinekologjisë është rinovuar salla e lindjes.