Ndotja e Badocit me mangan, flasin nga IKSHPK-ja: Ndikon në sistemin psikik të fëmijëve
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) tashmë 10 ditë ka apeluar qytetarët të mos pinë ujë nga liqeni i Badocit, si dhe për mospërdorim të tij në amvisëri për shkak të vlerave të rritura të manganit. Kjo pasi konsiderohet se mund të shkaktojë probleme shëndetësore, sidomos te fëmijët e vegjël, duke ndikuar negativisht në rritjen e tyre.

Këto dhe për ndikimet tjera të rritjes së vlerave të manganit, në një intervistë për KosovaPress tregon koordinatorja për monitorimin e ujit, Burbuqe Nushi-Latifi.

Nushi thotë se rritja e vlerës së manganit është fenomen, i cili ndodh në sezonin e vjeshtës dhe pranverës dhe se nuk është hera e parë që ndodh një përzieje e ujit me mangan.

"Vlera e manganit paraqitet në vjeshtë e pranverë, nuk është hera e parë që ndodh", thotë ajo.

Sipas koordinatores së ujit Nushi, vlerat e manganit nuk janë shumë të larta, por nuk preferohet për pije. Ajo tha se mangani ndikon më së shumit te fëmijët e moshave të hershme, por nuk preferohet për pije as te të rriturit pasi simptomat që shkaktohen nga mangani mund të provokojnë edhe sistemin psikik.

"Mangani ndikon në sistemin psikik, më së shumti te fëmijët në moshat e hershme", thekson Nushi.

Derisa rekomandimi për mos pirje të ujit qëndron ende, deri në njoftimin e radhës nga IKSHPK-ja, Nushi thekson se mangani mund të largohet me ndërrimin e temperaturave ditëve të ardhshme.

Kujtojmë se më 19 tetor, sasia e madhe e detektuar e elementit kimik, mangan, bëri që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) të kërkojë nga qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit e këtij liqeni, të mos e përdorin atë për pije dhe gatim.

Qytetarët i janë përgjigjur këtij rekomandimi dhe tashmë po furnizohen me ujë  të ofruar nga KRU-ja me autobot./A.Drenica

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024