Sot u mbajten katër sesione të trajnimeve për gjashtë të rinjtë e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, në kuadër të projektit “Kundërshtimi i Stereotipeve Negative për Komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë përmes Iniciativës Mediatike”. Ky projekt realizohet me mbështetje nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe zbatohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID), në partneritet me agjencinë e lajmeve KosovaPress.
Projekti synon fuqizimin e të rinjve nga këto komunitete, duke i pajisur ata me aftësi dhe mundësi për të sfiduar stereotipet negative dhe për të kontribuar në krijimin e një narrativi mediatik pozitiv dhe pa paragjykime. Pjesëmarrësit po zhvillojnë aftësi profesionale në gazetari, prodhim mediatik dhe videografi përmes trajnimeve të specializuara.
Këta të rinj do të kenë mundësinë të bëhen profesionistë në fushën e mediave dhe gazetarisë, duke dhënë kontributin e tyre në avancimin e pozitës së komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ata do të mund të veprojnë si mbrojtës ndaj stereotipeve dhe paragjykimeve, duke promovuar një imazh më të saktë dhe më të drejtë të këtyre grupeve në media.
Pas përfundimit të trajnimit, të rinjtë do të kenë mundësinë të realizojnë praktikë profesionale në disa prej redaksive të mediave të Kosovës, duke kontribuar në krijimin e përmbajtjeve që pasqyrojnë realitetin e komunitetit të tyre në një dritë pozitive.#CFID, #UNMIK, #KosovaPress #KundërshtimiStereotipeve #KomunitetetRomAshkaliEgjiptian #PërfshirjePozitive #RiniPaParagjykime #NarrativaPozitive #BaraziNëKosovë #FuqizimiIRinisë