Në kampin "Film City" në Prishtinë është organizuar ceremonia e ndërrimit të komandës së zëvendëskomandantit të KFOR-it, mes Jozsef Szpisjak dhe Federico Bernacca.
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas tha se Jozsef Szpisjak ka shërbyer me nder në NATO dhe se ka bërë hapa të mëdhenj në përmbushjen e mandatit të KFOR-it në Kosovë.
Tutje, ka përmendur edhe disa nga arritjet e ish-zëvendëskomandatit.
"Në partneritet të ngushtë me drejtorin e Policisë së Kosovës, keni udhëhequr pjesën e KFOR-it në iniciativën kolektive për rritjen e bashkëpunimit dhe dialogut transparent. Për menaxhimin e hapësirës ajrore. Ju siguruat rihapjen e linjave ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke rezultuar në fluturime më të shkurtra dhe më efektive brenda dhe jashtë. Gjithashtu, ju përfunduat me sukses negociatat për Rregulloren e Sistemit të Avionëve pa pilot të KFOR-it, duke garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e të gjitha aktiviteteve ajrore, për të përfshirë rritjen enorme të fluturimeve me dronë", shtoi ai.