Komanda e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë nga sot do të udhëhiqet nga komandanti turk, Ozkan Ulutas. Në kampin “Film City”, në Prishtinë, është organizuar ceremonia e ndërrimit të komandës së deritanishme të gjeneralit, Angelo Michele Ristuccia dhe të atij turk. Në pranim dorëzimin e detyrës ka marrë pjesë edhe admirali Stuart B. Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Komandanti i ri i KFOR-it, Ozkan Ulutaş u shpreh se po merr komandën në Kosovë në një periudhë të ndjeshme në të cilën po kalon Kosova, për çka u zotua se do të punojë me vendosmëri.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë, mori pjesë edhe admirali Stuart B. Munsch, i cili është komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, në Napoli. Ai tha se së fundmi KFOR-i, ka intensifikuar koordinimin me Policinë e Kosovës dhe se janë duke forcuar funksionin e tyre si reagues i parë.
Komandanti i deritanishëm, Angelo Michele Ristuccia u shpreh se gjatë mandatit të tij është operuar në menaxhim të përhershëm të krizave.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës kanë marrë pjesë diplomatë të akredituar në Kosovë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, krerë fetarë e figura tjera të larta shtetërore.