Ndalimi i “Mirëdita, Dobar dan” nga Serbia, MPJD: Vazhdim i mendësisë së regjimit të Millosheviqit
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas vendimit të autoriteteve serbe për ndalimin e festivalit “Mirëdita, Dobar dan”.

Në një komunikatë për media, MPJD thotë se ky vendim është dëshmi se qeveria serbe është kundër çdo lloj dialogu në mes Kosovës e Serbisë.

Komunikata e plotë:

Ndalimi i festivalit "Mirëdita, Dobar dan" në Serbi me urdhër të ish-zëdhënesit të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, aktualisht Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq, është edhe një dëshmi e vazhdimit të politikës, mendësisë dhe veprimeve të regjimit të kaluar.

Këtë fushatë të egër publikisht e nisi njeriu i listave të zeza dhe ish shefi i BIA, Vulin, të cilit pastaj iu bashkua ai që duhej të ishte në krye të organizimit të festivalit dhe mirëvajtjes së tij, Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq. Kjo dëshmon qartë se si regjimi autoritar i presidentit serb Vuçiq funksionon, dhe se ky regjim është vazhdimësi besnike e politikave, mendësisë dhe veprimeve kriminale të regjimit të Millosheviqit.

Ky vendim i qeverisë serbe vërteton edhe një herë se qeveria serbe është kundër çdo lloji dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojnë me gjuhën më të ashpër veprime të tilla të autoriteteve të Serbisë për ndalimin e festivalit i cili është mbajtur 10 herë, në Kosovë dhe Serbi dhe që kishte për qëllim të bashkonte artin, kulturën, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes dhe që synonte të krijonte ura bashkëpunimi dhe nxiste ndërtimin e paqes në rajon.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po përcjell nga afër të gjitha zhvillimet e fundit dhe do t’ju njoftojë në kohë reale për zhvillimet e reja mbi këtë çështje.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024