Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar pasi ministri i Financave Hekuran Murati njoftoi se grevistëve nuk do t’u paguhet paga e plotë, duke thënë se me një veprim të tillë qeverisja Kurti po e hakmerret ndaj mësimdhënësve e shërbyesve civilë, të cilët po kërkojnë një jetë të dinjitetshme.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se qeverisja Kurti është treguar e paaftë për të adresuar sfidat socio-ekonomike të qytetarëve dhe si rezultat i kësaj po lëshohet në vendime arbitrare sikurse ajo e ndalesës së pagës për grevistët.
Sipas tij, ministri Murati është dashur të dalë me masa ekonomike e iniciativa konkrete për t’ua lehtësuar të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësve dhe shërbyesve civilë, ballafaqimin me depresionin ekonomik që vetëm po rritet.
“Por, ai doli për ta luajtur rolin e ndëshkuesit, ndëshkim me të cilin regjimi i Albin Kurtit po demonstron vullnetin për t’u hakmarrë ndaj atyre që refuzojnë t’i nënshtrohen dhe të mbyllin gojën, sytë dhe veshët përballë kësaj situate të rëndë. Me këtë qasje, qeverisja depresive e Albin Kurtit, po provon ta grabisë në mënyrë represive të drejtën e mësimdhënësve e shërbyesve civilë për të jetuar dinjitetshëm. Kjo e drejtë nuk mund t’iu mohohet as mësimdhënësve, as askujt tjetër. Prandaj, zgjidhje është dialogu e jo hakmarrja”, ka thënë Krasniqi.
“E përderisa qytetarët pyesin se ku është qeveria për të ndërmarrë veprime lehtësuese, qeveria vepron me masa hakmarrëse ndaj mësimdhënësve e shërbyesve civilë, duke ua ndalë pagat për shkak të grevës”, ka thënë Krasniqi.