NATO dhe KFOR-i janë “shumë të shqetësuar për situatën e sigurisë dhe mundësitë e përkeqësimit të saj” dhe nxisin palët të angazhohen në dialog për gjetjen e një zgjidhjeje politike, tha sot një zyrtar i Aleancës në Uashington, në shënimin e 75-vjetorit të organizatës më të fuqishme ushtarake në botë.
“Në NATO, ne jemi të mendimit që zgjidhja dhe stabilizimi në të ardhmen i situatës së sigurisë do të varet plotësisht nga zgjidhjet politike. E kemi theksuar vazhdimisht nevojën për dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe angazhim konstruktiv diplomatik. Po ashtu kemi theksuar nevojën për shmangien e veprimeve të njëanshme që mund të provokojnë incidente sigurie,” tha për media një zyrtar i NATO-s në kushte anonime.
“Ne vazhdojmë … t’i nxisim të dyja palët që të angazhohen në mënyrë sa më konstruktive dhe më të dobishme, sepse e vetmja zgjidhje e vërtetë e situatës është zgjidhja politike,” shtoi ai.
Sipas zyrtarit, paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë kanë shtuar kapacitetet e tyre, duke rritur numrin e ushtarëve nga 3700 në 4600, që përbën shtimin më të madh të forcave të NATO-s në Kosovë qe nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në kuadër të masave të tjera konkrete, sipas zyrtarit, trupat e NATO-s po ashtu kanë katërfishuar praninë e tyre në veri të Kosovës dhe kanë trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare Kosovë-Serbi.
Situata në Kosovë u përshkallëzua edhe më tej më 24 shtator, kur një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën, gjatë përleshjeve me një grup të armatosur serbësh në veriun e banuar me shumicë serbe, në fshatin Banjskë. Tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën, duke ngritur shqetësime për qëndrueshmërinë në rajonin e brishtë.
Një sasi e madhe armatimi u konfiskua gjatë këtij incidenti, për të cilin Kosova fajësoi Serbinë, akuza të cilat Beogradi i hodhi poshtë, duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.
Mbi këto incidente të sigurisë, zyrtari tha se NATO-ja vazhdon t’i nxisë “të dyja palët që t’i trajtojnë këto situata me seriozitet maksimal, sidomos për sa i përket përgjegjësisë.”
“Është shumë e rëndësishme për NATO-n, jo vetëm pse ushtarët tanë u plagosën më 29 maj, por sepse pranimi i përgjegjësisë është pjesë e ecjes përpara në këtë proces politik. Të gjitha palët duhet ta ndjejnë se kanë përgjegjësi dhe po ashtu të ndihen që zëri i tyre po dëgjohet, në mënyrë që të jemi në gjendje të ecim drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme,” deklaroi zyrtari. /VoA