Disa nga afresket më të mrekullueshme mund të gjenden në Voskopojë, që "National Geographic” e konsideron edhe si “Parisin e Ballkanit”. Ekspertët e ruajtjes së veprave të artit në Voskopojë po garojnë për të shpëtuar qindra kryevepra ortodokse të shekullit XVIII në kishat e degraduara nga koha.
Në thellësi të Shqipërisë Juglindore, në një fshat të vogël ndodhen pesë kisha, që kanë një nga elementet më madhështore të artit të afreskut të krishterë ortodoks në botë, thotë “National Geographic”.“Për ne është si Luvri”, thotë ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Nuk ka objekte të tjera në Shqipëri apo në botë si kishat e Voskopojës dhe afresket e tyre 43 000 metra katrore. Qeveria i ka cilësuar ato si Monumente Kulture, dhe në vitin 2020 njohu qendrën e fshatit ku ndodhen shumica e tyre si Ansambël Historik. Afresket janë një artefakt mbresëlënës ku Lindja takon Perëndimin, dhe shfaqin një identitet multikulturor dhe multifetar shqiptar. Shumë prej ekspertëve kishin frikë se ekzistenca e tyre do të shuhej nën regjimin e mëparshëm komunist.
Duke filluar nga fundi i shekullit XVIII, Voskopoja u plaçkit dhe u shkatërrua tre herë në 20 vjet. Ajo u dogj gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u bombardua në Luftën e Dytë Botërore. Nga më shumë se 20 kisha që ishin dikur në fshat, vetëm gjashtë kanë mbetur, duke përfshirë pesë kishat me afreske.
Në dekadat e fundit, këto thesare arkitekturore dhe artistike janë shkatërruar. Një kishë, pësoi atë që një autoritet rajonal e quajti, dëmtim të nivelit SOS, pas reshjeve të mëdha të shiut në vitin 2021, kur çatia e saj u shemb pjesërisht. Një tjetër u deklarua në gjendje kritike, një vit më vonë.
“Parisi i Ballkanit”
Shqipëria ka një histori të trazuar. Gjatë mijëra viteve, vendi u pushtua nga disa perandori, nga ato romake deri te ato bizantine dhe otomane.
Voskopoja kontrollonte rrugët tregtare tokësore midis Adriatikut dhe Stambollit, duke lidhur osmanët me doxhët në Venecia, Habsburgët në Vjenë dhe më gjerë. Në kulmin e saj, funksiononin rreth 50 esnafe artizanale, duke tërhequr dhe trajnuar artizanë si rrobaqepës, argjendarë dhe armëpunues. Për njëfarë kohe, qyteti kishte të vetmen shtypshkronjë në Perandorinë Osmane, e themeluar në 1744, që drejtohej nga ”Akademia e Re” dhe që ushqente ide iluministe.
Aftësia ekonomike e qytetit, i mundësoi atij të lulëzonte si një qendër e besimit dhe artit të krishterë ortodoks, në perandorinë e dominuar nga Islami, duke çuar në një lulëzim në ndërtimin e kishave. Por duke filluar nga fundi i shekullit XVIII, qyteti filloi të bjerë. Në vitin 1769 grabitësit, me gjasë nga rajoni përreth, plaçkitën Voskopojën. Banorët ikën dhe qyteti dikur madhështor u reduktua në një fshat të vogël.
“Mendoj se është e rëndësishme që fëmijët e sotëm, të dinë se çfarë besonin paraardhësit e tyre, çfarë sakrifikuan për të shpëtuar”, tha Fjoralba Prifti, drejtoreshë në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, në Korçë, i cili ruan 6 400 ikona, përfshirë edhe shumë të tjera të shpëtuara nga kishat e Voskopojës.
“Kur regjimi ra në vitin 1991, fshatarët u mblodhën në Shën Nikollë. “Edhe pse kishin frikë, kishin njëri-tjetrin. Perëndia gjithmonë na ka thënë: Unë jam brenda jush”, kujton at Thoma Samaraj, kryeprift i kishave të Voskopojës.
Në vitin 2018, ata hynë në listën e “7 më të rrezikuarve” të Europa Nostra.
“Është një vend ku kryhen ndërhyrje të vazhdueshme, i gjithë fshati. Kjo është fryma e shqiptarëve, duke rezistuar dhe duke treguar gjithmonë se mund të vazhdojnë te ruajnë artin, trashëgiminë e tyre kulturore, ndër vite”, tha Margariti.
Plagët nga historia janë ende të dukshme në një inspektim të fundit, në Kishën e Shën Mërisë, së bashku me Anxhela Zguri, docente në Institutin e Monumenteve të Kulturës të qeverisë dhe pronare e bujtinës “Bujtina Liana”. Narteksi u shkatërrua dhe naosi u rrënua pjesërisht nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.
“Të degraduara nga kalimi i viteve, shumica e afreskeve nuk janë në gjendje të mirë”, tha ajo.
Ajo që e dallon secilën prej tyre është arti në mure. Arti ortodoks duhej t’u përmbahej disa parimeve të ikonografisë fetare, dhe afresket duhej t’i përcillnin historitë e Biblës dhe të krishterimit të hershëm në një kongregacion analfabet. Pjesa tjetër varej nga imagjinata e piktorëve.
Në Kishën e Shën Marisë, skenat e kryeengjëjve Mikael dhe Gabriel janë pika kryesore; Një pikturë në Kishën e Shën Athanasiut përshkruan kullat e Babilonisë që bien mbi banorët e saj fatkeq, midis veprave të tjera të nënshkruara nga vëllezërit Kostandin dhe Athanas Zografi, artistë të frytshëm që i shtuan stilin ortodoks në shekullin e 18-të.
Lëvizja e ringjalljes
Ka shpresë për kishat e mbetura të Voskopojës. Të inkurajuar nga rritja e turizmit, vendasit po hedhin dritë mbi strukturat, fshatin dhe historinë e tyre. Në nëntor, Ministria e Kulturës shpalli një plan ambicioz për restaurimin dhe zhvillimin e qytetit.
Ministria ka dorëzuar propozimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e tij, i cili sipas Margariti mund të arrijë rreth dy milionë euro (2,1 milionë dollarë). Projektet e rehabilitimit do të zgjasin të paktën dy vjet.
Ndërkohë, mjeshtërit kanë nisur tashmë punën për restaurimin e afreskeve të Shën Nikollës. Pas gjashtë muajsh janë përfunduar dy panele. Diku tjetër në qytet, udhëtarët mund të qëndrojnë në pallate historike të rinovuara dhe të mësojnë për lavdinë e dikurshme të Voskopojës. Në një fushë, përtej fshatit ekzistues, disa shenja zbulojnë vendin ku dikur qëndronin, akademia e madhe, biblioteka dhe shtypshkronja.