Napoli shpërndau një video në mediat sociale pasi mbrojtësi, Juan Jesus akuzoi qendërmbrojtësin e Interit, Francesco Acerbi për racizëm.
Napoli përdori hashtagun #KeepRacismOut në “X”, dikur “Twitter”, të hënën pasi Jesus akuzoi Acerbin për komente raciste gjatë ndeshjes së Serie A të së dielës mes Interit dhe Napolit në “Giuseppe Meazza”, raporton KosovaPress.
Çfarë ndodhi mes Juan Jesus dhe Acerbit?
Juan Jesus i tregoi për komentet raciste të Acerbit gjyqtarit Federico La Penna gjatë ndeshjes së dielën, por tha se ai e kishte falur mbrojtësin italian pas fishkëllimës së fundit.
Gjatë një takimi me trajnerin e Italisë, Luciano Spalletti dhe lojtarët e “Azzurrit” të hënën, Acerbi mohoi të kishte qëllime shpifëse, përçmuese ose raciste, por u dërgua në shtëpi dhe u zëvendësua nga mbrojtësi i Romës, Gianluca Mancini.
Interi lëshoi gjithashtu një deklaratë zyrtare duke thënë se do të flasin me lojtarin e tyre sa më shpejt të jetë e mundur për të qartësuar dinamikën e asaj që ndodhi.