Nagip Krasniqi nuk e pranon fajësinë, Dragusha arrin marrëveshje për pranim të fajësisë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
nagip krasniqi
2 orë më parë
Linku u kopjua

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dhe i akuzuari Isuf Zejna janë deklaruar të pafajshëm, kurse Ymer Dragusha ka arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për pranimin e fajësisë, lidhur me akuzën për keqpërdorimet në KEK.

Krasniqi, Zejna dhe Dragusha akuzohen për veprat penale “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Në nisje të shqyrtimit fillestar prokurorja e rastit, Fikrie Fejzullahu u deklarua rreth marrëveshjes së arritur mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Dragusha për pranimin e fajësisë për çka tha se është bërë në mënyrë vullnetare nga vetë i akuzuari.

Sipas prokurores, Zejnullahu marrëveshje e dakorduar parasheh dënim në kohëzgjatje prej 2 vitesh e cila nuk do të ekzekutohet në rast se i pandehuri nuk kryen vepra penale gjatë kësaj periudhe.

Mbrojtësja e të akuzuarit Ymer Dragusha,  Sabrije Krasniqi pohoi se pranimi i fajësisë nga klienti i saj është bërë me vullnet të plotë dhe pa presion nga askush.

Se me vullnet të plotë dhe duke pas parasysh pasojat e ka pranuar fajësinë për katër veprat penale që e ngarkon Prokuroria edhe vetë i akuzuari, Ymer Dragusha.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri shpalljen e aktgjykimit për të akuzuarin, Ymer Dragusha e ka shtyrë deri në përfundim të gjithë kësaj çështje penale.

Pas kësaj, seanca e shqyrtimit fillestar vazhdoi me leximin e aktakuzës, sipas të cilës  Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

Prokurorja e rastit, Fikrie Zejnullahu tha se i akuzuarit, Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha me veprimet e tyre kanë keqpërdorur autoritetin zyrtar duke dëmtuar në shkallë të lartë buxhetin e Kosovës.

Tutje sipas aktakuzës ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi së bashku me Ymer Dragushën në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontratë të dëmshme edhe me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”.

Dispozitivi i gjashtë i aktakuzës thotë se i akuzuari, Nagip Krasniqi në periudhën kohore 2022-2023 me dashje dhe në cilësinë e personit zyrtar ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK, duke i ndarë me personin jozyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin.

Sipas aktakuzës, më 4 gusht 2022 Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social “Signal’’ i ka dërguar Mihalit, kërkesën drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës përkatësisht kryeministrit të Kosovës dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike.

Derisa avokati, Isuf Zejna akuzohet se gjatë dhjetorit të vitit 2021 e deri në prill të 2023-ës, në Prishtinë, Zejna si përfaqësues i kompanisë “ Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C” me dashje dhe me qëllim të përfitimit personal, ka ndihmuar të pandehurin Krasniqi që ta keqpërdor detyrën zyrtare në lidhje me tenderin e titulluar “Angazhimi i një kompanie konsulent ligjor”.

Lidhur me të gjitha akuzat që u ngarkua ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës(KEK), pas leximit të aktakuzës është deklaruar i pafajshëm.

Fajësinë nuk e pranoi as avokati, Isuf Zejna.

Seanca e kaluar e shqyrtimit fillestar për aktakuzën e dytë ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, Ymer Dagushës si dhe Isuf Zejnës, të akuzuar për keqpërdorime në KEK dështoi pasi mungoi i akuzuari, Ymer Dragusha.

Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzën më 30 dhjetor 2024.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025