Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci tha se kanë bërë propozime për marrëveshje politike për çështjen e presidentit, duke mohuar se kanë bërë pazare në ofertat e tyre për këtë post, raporton KosovaPress.
“Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë ka qenë serioze edhe transparente në propozimet, ofertat e veta. Për mua pazar nënkupton praktika që kemi parë e që fatmirësisht i takojnë së kaluarës, kur është diskutuar për terminalet doganore, për pozita në ambasada, për favore individuale e për grupe të ngushta të interesit. Ndërkohë, që Lëvizja Vetëvendosje bën propozime për marrëveshje politike në mënyrë proporcionale me mbështetjen që na i kanë dhënë qytetarët. Por, përtej kësaj për të zgjidhur këtë ngërç në të cilën jemi pas më shumë se një vit bllokade për shkak të pozitës së kryetares së kuvendit ne kemi qenë madje edhe gjeneroz në propozimet që kemi bërë për LDK-në si partia e tretë me numër të dukshëm më të vogël të deputetëve se sa LVV, duke ofruar pozitën e dytë në qeveri dhe katër ministri për të udhëhequr ose njërën nga tri pozitat më të rëndësishme shtetërore, pozitën e kryetares së kuvendit”, ka shtuar ajo.
Tutje, ajo para gazetarëve tha se ditëve që kanë mbetur pret nga partitë politike që të deklarohen se rreth emrave konkret që do të votonin për president.Shefja e deputetëve të LVV-së tha se janë duke punuar intensivisht në kuvend duke votuar numër të madh të ligjeve. /Sh.Pajaziti