Naftëtarët kanë reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për caktimin marzhës tregtare për produktet e naftës dhe intensifikimin e mbikëqyrjes së cilësisë së naftës.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve në vend, Fadil Berjani përmes një shkrese drejtuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka kërkuar që marzha e fitimit të rritet për shumicë 2.3 eurocentë për një litër, ndërsa marzha për shitjet me pakicë të ngritet 14 eurocentë për një litër.
Në këtë shkresë të siguruar nga KosovaPress, thuhet po ashtu se “Mund të konkludojmë se sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara edhe në Euro Stat, inflacioni në Kosovë për vitin 2022 ishte në vlerën prej 11.6 për qind, ndërsa për vitin 2023 ishte në vlerë 5.1 për qind, për këtë duke u bazuar dhe në rritjen enorme të shpenzimeve operative dhe pagave për punëtorë, kërkojmë që në bazë të udhëzimit të reflektohet edhe marzha tregtare që në bazë të inflacionit për vitin 2024 duhet të jetë ky çmim: Marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy-pikë-tre (2.3) eurocentë për litër, si dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 14 eurocentë për litër”, thuhet. Pas një shqyrtimi të hollësishëm të argumenteve tona dhe të dhënave zyrtare të inflacionit, kërkojmë që të merrni në konsiderim edhe një herë rishikimin e Vendimit në mësipërim”.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, bërë të ditur nga monitorimi i rregullt i tregut të produkteve të naftës dhe bazuar në evidencën ditore të pranuar nga Dogana e Kosovës lidhur me çmimet e furnizimit/importit të produkteve të naftës si dhe raportin e Inspektoratit të Tregut lidhur me çmimet e shitjes me pakicë të produkteve të naftës, ka evidentuar mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror, çka përbën bazë/shkas për rregullimin e çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse.