Besimtarët e fesë islame kremtojnë sot Kurban Bajramin, i cili sipas traditës islame nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.
Manifestimi për territorin e Kosovës kushtuar Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë duke filluar nga ora 4:19, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike, të cilën do ta mbajë Hetem Sopjani - kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.
Me rastin e Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës si tradicionalisht organizon pritje në selinë e saj nga ora 9:00-12:00.
Bashkësia Islame e Kosovës të gjithë besimtarëve myslimanë ua uron Kurban Bajramin, duke lutur Zotin që të pranojë haxhin, kurbanin, lutjet dhe ibadetet.