Myftiu Naim Tërnava uron besimtarët me rastin e festës së Kurban Bajramit
Lexohet për: 5 min.
Naim-Tërnava-BIK-6
2 vite më parë
Linku u kopjua

Myftiu Tërnava iu është drejtuar besimtarëve myslimanë përmes një letre pubike, te cilëve iu ka uruar festën e Kurban Bajramit.

Të nderuar besimtarë!

Vëllezër e motra!

Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Më lejoni që në këtë ditë të madhe, në ditën e Arafatit, në prag të festës së Kurban-Bajramit, t’u drejtohem me urimet e përgëzimet më të mira për shëndet, harmoni e mbarësi, me shpresën dhe bindjen e fortë se në këtë festë të Kurban-Bajramit, do të përfitojmë nga begatitë dhe rahmeti i Krijuesit të Gjithësisë.

Me këtë rast, në këtë ditë të madhe, kam kënaqësinë që në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emrin tim, t’u bashkëngjitem lutjeve e ibadeteve të besimtarëve myslimanë që sot janë në rrafshnaltën e Arafatit, ku të gjithë të veshur me petkun e bardhë – me ihrama, të barabartë e pa asnjë dallim, me çiltërsinë shpirtërore e me bindje dhe sinqeritet, kanë nisur kryerjen e obligimeve të haxhit.

Haxhilerët nga trojet tona, sikurse haxhilerët e tjerët nga e gjitha bota, në këtë ditë të madhe luten me përkushtim e devocion dhe i drejtohen Krijuesit të Gjithësisë, duke dëshmuar kështu besimin dhe përkushtimin e tyre ndaj Tij.

Mesazhet e festës së Kurban-Bajramit janë devotshmëria, barazia, sakrifica, flijimi e solidariteti, vlera këto që shprehen si nga haxhilerët që gjenden në Qabe për të kryer haxhin, po ashtu edhe nga besimtarët myslimanë që gjenden gjithandej nëpër shtëpitë dhe familjet e tyre.

Lutjet, ibadetet, devotshmëria, përkushtimi e sakrifica që e karakterizojnë Kurban-Bajramin, me të gjitha ritualet e tjera, përfshirë edhe haxhin dhe kurbanin si dimensionet kryesore të kësaj feste, krijojnë një reflektim shpirtëror, që besimtarin e fisnikërojnë edhe më shumë, e bëjnë më human dhe më të dobishëm për rrethin dhe shoqërinë, sepse që të gjitha këto bëhen me emër dhe për hir të Zotit, tek i Cili arrin vetëm qëllimi dhe nijeti ynë i mirë pas obligimit që kemi.

S’ka dyshim se haxhi është një nga shtyllat e fesë sonë islame, dhe një nga obligimet më të dashura të Zotit për njeriun, është njëri nga adhurimet që njeriun e afron më shumë me Xhenetin dhe me mundësinë e faljes së mëkateve, ia pastron shpirtin, rritë nderin, respektin dhe dashurinë ndërmjet njerëzve, duke e vlerësuar njeriun si krijesën më të kompletuar që ka krijuar Zoti xh.sh., andaj për hir të të gjitha këtyre dhuntive, Zoti xh.sh. i drejtohet Ibrahimit a.s. me fjalët:

“Dhe thirr ndër njerëzit për haxhin, ata do të vijnë këmbësorë dhe kalorës me deve nga të gjitha viset e largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre  dhe të përmendin emrin e Zotit në ditët e caktuara, për atë që i ka furnizuar me kafshë (për kurban). Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër.” (El-Haxh, 27-28).

Në Kuranin fisnik, besimtarët myslimanë në këto ditë të caktuara feste, urdhërohen që të prenë kurban në emër të Zotit, porse dobitë e tij t’i përfitojnë kategoritë e shoqërisë dhe institucionet në nevojë.

Për këtë arsye, Zoti xh.sh. thotë: “Falu për Zotin tënd dhe prej kuban.” (Kevther-2), dhe ajeti tjetër: “Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj...”(Haxh, 37)

Vëllezër e motra!

Deshi i Madhi Zot, që pas dy vjetëve, për shkak të pandemisë Covid-19, megjithëse jo në kapacitet të plotë, këtë vit besimtarëve myslimanë iu mundësua udhëtimi drejt vendeve të bekuara për të kryer haxhin, që është një gëzim shtesë yni në këtë festë të Kurban-Bajramit.

Festat e dy Bajrameve, si për nga karakteri, po ashtu edhe për nga ndikimi, janë festat më popullore për besimtarët myslimanë, ngase në këto festa besimtarët si në asnjë rast tjetër, përjetojnë shpirtërisht e emocionalisht afërsinë me Krijuesin, ngrohtësinë e familjes e farefisit, respektin e mirëkuptimin për tjetrin, ndihmën dhe përkrahjen për vëllain e për ata që kanë nevojë.

Të dashur besimtarë!

Festat fetare te ne, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë, ndaj, ne lutemi dhe urojmë që edhe ky Bajram të jetë në frymën e tillë.

Duke ju uruar për festën e madhe të Kurban-Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja.

Me hair e mbarësi festa e Kurban-Bajramit!

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024