Muzeu Kombëtar i Kosovës tash e disa ditë në terr, vizitorët s’mund të hyjnë brenda
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Tash e disa ditë Muzeu Kombëtar i Kosovës nuk po mund të pranojë vizitorë, për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Dy sallat ekspozuese, në të cilat janë të vendosura shumë artefakte, si pasojë e një defekti në sistemin e rrymës, janë pa ndriçim.

Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu në një intervistë për KosovaPress thotë se pavarësisht përpjekjeve të personelit teknik të muzeut dhe ekipeve të tjera nga Ministria e Kulturës dhe asaj të Punëve të Brendshme, nuk është arritur të rregullohet problemi i rrymës.

Ajo potencon se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, katër grupe të paralajmëruara për vizitë në muze, nuk kanë mundur t’i eksplorojnë sallat e ekspozitave.

Për KosovaPress, Aliu tregon se në pamundësi për të hyrë brenda sallave të ekspozitave, dy grupe e kanë realizuar vizitën në oborrin e muzeut, duke marrë shpjegime nga ciceroni dhe të njëjtit janë përcjellë në Kompleksin Etnologjik "Emin Gjiku".

Ajo thotë se ka pasur edhe kërkesa të tjera për vizitë, porse janë lajmëruar se me rregullimin e defektit, do të mirëpriten.

Përveç këtyre, Aliu thotë se ka adresuar çështjen edhe në Ministrinë e Kulturës, e cila ka shtuar angazhimet e saj, porse defekti ende mbetet i pranishëm. Ajo potencon se sipas ekspertizës së bërë, pritet që gjatë javës së ardhshme problemi me ndriçim të rregullohet.

Gjatë vitit të kaluar, Muzeun Kombëtar të Kosovës e vizituan rreth 12 mijë vizitorë. Ndërkaq, sipas Ministrisë së Kulturës, projekti për renovimin dhe restaurimin e ndërtesës së muzeut ka kaluar edhe fazat e vlerësimit nga komisioni i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe shumë shpejt do të nisë procedura për angazhimin e operatorit që do ta bëjë restaurimin e saj. /Z.Zeneli/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024