Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi e quan të gabuar letrën e shefes së diplomacisë kosovare Donika Gërvalla në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është në përgatitje të draft-statutit për asociacionin.
Në një prononcim për media, Musliu-Shoshi ka thënë se kjo letër përveç se nuk është adresuar në vendin e duhur, përmban gabim edhe në përmbajtje. Ajo potencoi se një draft-statut të tillë nuk e kanë kërkuar aleatët ndërkombëtarë, pasi sipas saj nuk është e dakorduar në marrëveshjen e Ohrit.
Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla tha sot se draft-statuti do të përmbushte obligimet ndërkombëtare dhe do të respektonte Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sipas saj, pavarësisht si do të pranohet kjo ofertë e palës kosovare, do të procedohet tutje për hartimin e draftit të asociacionit dhe dërgimit të tij në Gjykatë Kushtetuese. Sipas Gërvallës kjo letër zotimi nuk është e vonuar pasi po të konsideronin si të tillë do të dërgonin më herët.
Zëvendësministri i MPDJ-së, Kreshnik Ahmeti, tha se nëse në mbledhjen e nesërme të ministrave të Punëve të Jashtme të Këshillit të Evropës s’ka gatishmëri për të përfshirë në agjendë anëtarësimin e Kosovës, i njëjti mund të vendosë një datë të radhës se kur mund të bëhet një gjë e tillë.
Asambleja Parlamentare e KiE-së ka votuar për pranimin e Kosovës më 16 prill dhe vendimi përfundimtar ka kaluar te Komiteti i Ministrave. Disa vende si Gjermania dhe Franca kanë kërkuar nga Kosova hapa konkretë drejt asociacionit, për t’i bindur qeveritë skeptike të votojnë pro anëtarësimit të saj në KiE.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.