Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKl-së, ka përmbyllur sesionin pranverorë, me takimin që u mbajt në drejtorinë qendrore të AKI-së.
Kryetarja e këtij komisioni ka thënë për KosovaPress se i kanë përcjellë me vëmendje të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar nga AKI dhe për AKI-në.
“Po ashtu si Komision Parlamentar kemi shprehë shqetësimin tonë lidhur me publikimin e identitetit të pozitave të disa zyrtarëve të Agjencisë duke konsideruar si veprim të dëmshëm dhe pengesë për punë profesionale. Zbulimi i paautorizuar i identitetit të zyrtarëve të AKI-së dhe informacioneve tjera të ndjeshme, përveç që paraqet shkelje ligjore, është edhe pengesë për operacionet e AKI-së e në disa raste edhe mund të rrezikoj jetën zyrtarëve të saj”, tha Musliu.
Musliu tha se Komisioni falënderon mediat për bashkëpunim duke çmuar lart rolin e mediave për të mbajtur të informuar opinionin publik, por kërkon nga qytetarët dhe mediat, që të jenë të vëmendshme dhe të tregojnë kujdes, kur raportojnë apo komentojnë çështje të ndjeshme që përfshijnë punonjësit dhe metodat e punës së AKI-së, meqë kjo sipas saj mund ta komprometojë sigurinë dhe efikasitetin e operacioneve të AKI-së.
Gjatë ditës anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë kanë takuar drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.