Murati tregon ndryshimet për skemat pensionale dhe sociale, kritikohet nga opozita për reformat
Lexohet për: 3 min.
hekuran murati
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se ligji për skemën sociale është drejt finalizimit dhe së shpejti do të jetë në Kuvend, porse është kritikuar nga opozita për reformat në pensionale dhe sociale.

Gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me strategjinë legjislative për skemat sociale dhe pensionale për vitin 2024, si dhe planet dhe prioritetet për fushën e skemave sociale dhe pensionale për vitin 2024, Murat tha se Kuvendi ka ratifikuar marrëveshjen me Bankën Botërore, edhe pse me vonesë nga ana e Kuvendit.

Me anë të ligjit, ai shtoi se do të ketë edhe përmirësim sa i përket zbatimit duke shtuar se ideja është që mbështetja të jetë e bazuar në madhësinë e familjes, por edhe në aftësinë për të gjeneruar të ardhura në mënyrë graduale.

Duke folur për skemat sociale, ai tha se këtë vit do të adresojnë skemat pensionale sa i përket moshave. Siç tha ai do të bëhet një reformë sa i përket kritereve të përfitimit, derisa shtoi se do të ketë përmirësim në zbatimin e tyre.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka akuzuar ministrin Murati për mosmbajtje të premtimeve që kanë dhënë tash e tre vite.

Derisa, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, e ka pyetur ministrin se sa pensionist kanë përfituar nga skema e re pensionale, pasi sipas tij, janë vonuar në pilotimin e këtij programi.

Anën tjetër, deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se asnjëherë nuk është saktësuar se sa është dhënë nga buxheti i vendit përtej numrit të përgjithshëm të fondit të skemës sociale.

Ndërsa, deputeti nga LVV, Mirsad Shkreta është shprehur i shqetësuar me ligjin për skemat sociale, për çfarë thotë se duhet të ketë një sistem të menaxhimit të dhënave. Sipas tij, nga një numër enorm i përfitueseve të skemave, ka rënë numri në mënyrë rapide.

Lidhur me akuzat nga opozita, ministri Murati tha se një pjesë e madhe e premtimeve janë duke i realizuar, porse sipas tij, jo gjithçka mund të realizohet në vitin e parë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025