Murati: Nuk duhet bërë politikë me çështjen e veteranëve
Lexohet për: 8 min.
334043103_2747654108709547_3822696068500706032_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se numri në skemën e asistencës sociale është në rënie, por sipas tij kjo nuk reflekton domosdoshmërisht situatën aktuale në teren.

Ai ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi ku thënë se synojnë që përmes reformës pensionale të ketë zgjerim dhe mbështetje shtesë për këtë kategori.

“Kategoria e parë ka të bëjë me familjet që kanë fëmijë nën moshën 5 vjeç, pra familje të varfëra që është ai kriteri edhe këtu diskriminues dorën në zemër, që thuhet se duhet të kenë fëmijë nën moshën 5 vjeç që të përfitojnë pra numri i familjeve që kanë fëmijë nën moshën 5 vjeç po shkon duke u zvogëluar dhe në anën tjetër kategoria tjetër është familjet që ndoshta nuk e plotësojnë kriterin e parë por nuk kanë asnjë anëtar të aftë për punë. Tash edhe këtu në bazë të komisioneve mjekësore që kanë bërë ka pasur edhe raste që kanë identifikuar që jo domosdo disa prej familjeve që kanë qenë duke përfituar kanë pasur ose e kanë plotësuar këtë kriterin që nuk kanë asnjë anëtar të aftë për punë. Pra ka dalë që ose është bërë dikush i moshës madhore tashmë ka hyrë në moshë madhore pra është i aftë për punë pra nuk është i mitur ose është rikthyer aftësia ose ka qenë vlerësimi joadekuat në të kaluarën. Mirëpo numri si tërësi është në rënie, gjë që jo domosdo reflekton situatën sepse ideja është që përmes reformës pra të ketë zgjerim dhe mbështetje shtesë sepse siç e thash është ky kriteri diskriminues për moshën e fëmijëve, dhe momentin kur hiqet ky kriter normalisht që ka familje të tjera që kanë nevojë për mbështetje mirëpo kanë mbetur jashtë për shkak të këtyre kritereve që i parasheh ligji”, ka thënë Murati.

Murati gjithashtu ka thënë se sa i përket pilotimit për pensionistët që kanë filluar në komunën e Prishtinës, synojnë ta zgjerojnë në gjithë territorin e vendit ku personat mbi moshën 80 vjeçare apo rastet që kanë probleme shëndetësore nuk kanë nevojë shkojnë të paraqiten por verifikimi i tyre bëhet përmes ekipeve mobile.

“Së fundmi kemi publikuar UNIREF-in, apo kodin UNIREF, kodin unik referues për pagesën e gjobave që parasheh ligji për personat me aftësi të kufizuar që thotë çdo institucion apo etnitet biznesor apo tjetër që ka së paku 50 të punësuar duhet të punojë një person me aftësi të kufizuara ose të paguajë shumën e pagës minimale të kontribuojë në fondin e veçantë i cili pastaj përdoret për të mbështetur këto kategori. Ligji e ka paraparë tash e një kohë këtë gjë qysh moti mirëpo deri më tani pengesa ka qenë sepse as zbatimi por edhe kur kanë dashur bizneset me bë këtë kontribut ka qenë e pamundur sepse nuk ka qenë ky kodi UNIREF që i dedikohet pagesave. Tash inspektorati i punës e ka të mundur që edhe të verifikojë e të monitorojë bizneset dhe etnitetet e tjera a i përmbahen kësaj rregulle dhe nëse jo të ketë edhe ndëshkimet përkatëse që i parasheh ligji”, ka thënë Murati.

Ndërsa deputetët nga opozita ndër të tjera janë interesuar të pyesin ministrin edhe për çështjen e veteranëve.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se duhet të diskutohet mundësia e lejimit të punësimit të tyre si dhe të marrin shtesat që u takojnë për shkak të kontributit të tyre.

“Domosdoshmërisht duhet ta kemi si shoqëri mënyrën se si e trajtojmë, sepse nëse tërë jetën mbesin me këtë pagë dhe nuk u lejohet mundësia me punu atëherë ne vet po i shndërrojmë në raste sociale. A keni ndonjë plan që këtyre njerëzve (veteranëve) t’u mundësohet të punojnë dhe të marrin edhe këtë kontributin për angazhimin e tyre për luftë, ose mënyra të trajtimit të kësaj kategorie, sepse nëse mebsin kështu po më duket që kanë me mbet barrë e rëndë edhe për buxhetin edhe për familjet e tyre edhe për shoqërinë në kuptimin se si trajtohen...Mendoj që ndoshta duhet ta kemi ide krijimin e mundësisë për të punuar edhe për të marrë atë shtesë sepse dihet që mundësia për të jetuar me atë pagë është tepër e vogël, mos të them është e pamundshme”, ka thënë Zemaj.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu ka përmendur edhe kërkesat e personat e verbër dhe paraplegjikë dhe tetraplegjikët.

“Sa i përket çështjes së ligjit për veteranët dhe pagës minimale, ku gjithashtu ju po thirreni të ligji i veteranëve të një nen por ligjin duhet me shiqu si tërësi sepse ajo është mëndu edhe me ligj është shkruar pas kategorizimit, duhet të bëhet kategorizimi pastaj të vlerë neni  i cili po thuani. Mirëpo i kemi edhe dy kategori të tjera që janë të verbrit dhe paraplegjikët dhe tetraplegjikët të cilët gjithashtu i keni larguar nga paga minimale dhe gjithashtu kanë kërkesat e tyre, këtu kish me na ndihmi shumë reforma pensionale sepse janë disa skema sociale, disa skema pensionale dhe ligje të veçanta, duke mos pasur një kod pensionale të veçantë ose mos me pas vetëm një ligj pensional pastaj bazuar në paaftësinë që ka, me marrë edhe pensionin”, ka thënë Haxhiu.

Ministri Murati ka përsëritur se Zyra e Kryeministrit ka shprehur gatishmërinë për dizajnimin e një ligji të ri i cili trajton procesin e riverifikimit pastaj edhe trajtimi ne dinjitetshëm për veteranët.

“Ne si qeveri pra Zyra e Kryeministrit në diskutimet që ka pasur me shoqatat e dala nga lufta ka ofruar gatishmëri që ne si qeveri bashkërisht me ta të dizajnojmë një ligj të ri i cili që nga fillimi i trajton si duhet edhe procesin e riverifikimit e pastaj të ketë edhe një trajtim të dinjitetshëm, pra kjo ka qenë oferta jonë si qeveri, çka mund të bëjmë është të ofrojmë mundësinë dhe hapësirën që bashkërisht me një konsensus të gjerë edhe të spektrit politik do të thoja sepse shpesh herë po ka shfrytëzim të situatave të caktuara në mënyrë që të bëhet politikë me këtë çështje, që nuk do të duhej por do të duhej që bashkërisht të kemi një konsensus për trajtimin e dinjitetshëm të kësaj kategorie shoqërore që ka dhënë kaq shamë dhe jo të bëhet politikë. Pra këtu jemi, kjo është oferta që ka dhënë Zyra e Kryeministrit dhe nëse nuk gaboj asokohe kërkesa ka qenë imediate që të përfshihen edhe në ligjin që kurdo që rritet paga minimale të ndryshohet edhe vlera e pensionit mirë ajo tash është çështje tjetër meqenëse nuk ka lidhje te tillë sepse është bërë shkëputja qysh në vitin 2017”, ka thënë Murati.

E deputeti nga radhës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj ka kërkuar që stafi akademik i Universitetit të Prishtinës të ushtrojnë të drejtën e punës deri në moshën 68 vjeç.

Kjo sipas tij duhet të bëhet për shkak se institucionet po ballafaqohen me mungesë të stafit profesionist.

“Kemi klinika dhe kemi katedra të cilat janë duke u rrezikuar në mungesë të stafit. Një kërkesë konkrete kisha pas nga ju, meqenëse kemi forma të ndryshëm të pensionimit në Kosovë, kemi moshën 55 vjeçare për FSK-në, kemi 65 vjeçare për të tjerët, kisha bërë një apel tek ju të avokati, së bashku me këtë komisionin tonë që stafi akademik i Universitetit të Prishtinës të ketë të drejtën e ushtrimit të punës deri në moshën 68 vjeçare”, ka thënë Dreshaj.

Lidhur me këtë, Murati ka thënë se është për të mbështetur një nismë të tillë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024