Thomas Muller e ka pranuar se skuadra e Bayern Munichut kishte mbetur e habitur me kalimin, në ditën e fundit të merkatos së janarit, të Marcel Sabitzer te Manchester United.
Sabitzer, austriaku i parë që luan për Manchester United, kompletoi një huazim deri në fund të sezonit nga Bayerni, pasi që Ten Hag me çdo kusht kërkonte një zëvendësim për Christian Eriksen, i cili do të mungojë për tre muajt e ardhshëm si pasojë e lëndimit, raporton KosovaPress.
Edhe pse Muller nuk priste që Sabitzer të largohej, ai beson se kjo lëvizje do t’ia rris gjasat për luajtur më shumë.
“Skuadra ishte e habitur. Ndodhi shumë shpejtë. Jam i lumtur për Sabitzer që ai ka kaluar te United, kështu duke pasur gjasa më shumë për të luajtur aty. Manchesteri është një emër i madh”, tha Muller.
“Ai do të rikthehet në verë. Kapitulli nuk është mbyllur ende”, tha Muller.
Sabitzer do të shpresojë ta bëjë debutimin e tij si lojtar i Manchester United, kur ky i fundit pret në shtëpi skuadrën e Crystal Palace në vikend.