Muja: PDK gënjeu të enjten që do të shpenzohen 20 milionë euro për libra
Lexohet për: 3 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se vendimi për subvencionim të teksteve shkollore ka për qëllim shmangien nga keqmenaxhimi. Deputetë të kësaj partie i janë përgjigjur kritikave të opozitës, ku thanë se të njëjtit vet kishin themeluar Komisionin Hetimor por e sabotuan pasi nuk ka pasur gjetje.
Deputeti i partisë në pushtet, Armend Muja deklaroi se PDK ka gënjyer të enjten, kur ka thënë se do të shpenzohen 20 milionë euro për subvencionim të teksteve shkollore.
“Zyrtarisht nga thesari në vitin 2023, këto janë shifra të qasshme, janë shpenzuar 5.7 milionë euro për tekste shkollore, që krahas vitit 2017 është më e ulëta që është shpenzuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Edhe në lidhje me procesin e këtij viti, dje Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, gënjeu në mënyrë të hapur publikun se do të shpenzohen 20 milionë euro. Nuk është e vërtetë që do të shpenzohen 20 milionë euro për tekste shkollore, në fakt dallimi mes vitit 2023 dhe 2024 do të jetë që në vitin 2023 janë vetëm tekstet për shkollim fillor, kurse këtë vit do të jetë edhe për shkollimin fillor edhe për shkollimin e mesëm të ulët, pra do të ketë diku 212 mijë nxënës që do të përfitojnë dhe kjo shifër, siç parashihet në planifikimin fillestar është 13 milionë euro, janë alokuar që të mbulohen të gjitha nevojat për tekste shkollore. Përpos kësaj shifre, në dy vite radhazi MAShT është duke alokuar edhe një shifër shtesë, një linjë të veçantë buxhetore që quhet linja materialet mësimore, çanta, lapsa, fletore”, tha ai.
Ai i ka reaguar opozitës edhe për deklarimet se do të maltretohen prindërit e fëmijët në librari.
Nga viti 2008 deri në vitin 2021, siç shtoi Muja, është bërë korrupsion masiv në shpërndarjen e librave. Ai i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë këtë periudhë.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza tha se ky vendim ka për qëllim të ruaj buxhetin e shtetit.
Sipas saj, librat nuk po shërbejnë për të bërë biznes si në të kaluarën por nxënësit do të pajisen me tekste të reja.
Fejza theksoi se DKA-të nuk kanë dërguar asnjë shkresë zyrtare në MAShT për problemet që kanë pasur në këtë proces.